Todt: Mihael Shumaheri është me ne, por nuk është ai i dikurshmi

Zhan Todt, një nga njerëzit më të afërt të 7 herë kampionit të botës në Formula 1, Mihael Shumaher, ka folur për gjendjen e ish-pilotit gjerman, që këtë vit bën 10 vjet nga aksidenti me ski.
“Mihael është këtu mes nesh, ndaj nuk më mungon. Gjithsesi, nuk është më Mihael i dikurshëm”, tha Todt. Duke vijuar më tej komentin e tij për Shumaherin, Todt sqaron.
“Është një njeri ndryshe dhe mbështetet në mënyrë të jashtëzakonshme nga bashkëshortja dhe nga fëmijët, që e mbrojnë. Kjo është ajo që mund të them. Për fat të keq, fati e goditi 10 vite më parë dhe nuk është më ai Shumaher që kemi njohur në Formula 1.
Unë kam privilegjin që ndaj ende momente me të”, tha Todt për të përditshmen franceze “L’Equipe”.
Ai me Mihael Shumaherin shkruan historinë e Formula 1, duke fituar 5 tituj kampionë radhazi me Ferrarin.