Torturoi qenin e tij, Policia paralajmëron kallëzim penal ndaj 23 vjeçarit nga Kriva Pallanka
Torturoi qenin e tij, Policia paralajmëron kallëzim penal ndaj 23 vjeçarit nga Kriva Pallanka

Gazetar: Avni Tahiri
Pas shpërndarjes së videos duke torturuar qenin nëpër rrugët e Kriva Pallankës, SPB Kumanovë do të ngre kallëzim penal kundër 23 vjeçarit A.A. nga Kriva Pallanka, shkruan Alsat.
Sipas policisë, 23 vjeçari nga Kriva Pallanka po hetohet nën dyshimin se ka kryer veprën penale “torturë e kafshëve” nga neni 233 i Kodit Penal.
“Departamenti i Policisë në Kriva Pallankë është njoftuar se në rrjetin social është postuar një video, ku shihet se si në Kriva Pallankë, një qen është lidhur në një veturë të udhëtarëve në lëvizje dhe qeni është detyruar të lëvizë. Nga ana e zyrtarëve policorë janë ndërmarrë masat dhe aktivitetet përkatëse dhe është konstatuar se pronar i veturës dhe qenit është A.A. (23) nga Kriva Pallanka”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Anima Mundi, thonë se vullnetarët e kësaj organizate kanë dalë menjëherë në terren për të parë gjendjen e kafshës nga ku janë konstatuar lëndime të shumta të qenit dhe është kërkuar që personit t’i merret kafsha për shkak të torturës.
Nga kjo Organizatë kërkojnë që të gjithë ata që torturojnë kafshët të përgjigjen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar. / Alsat.mk