Totre rikthehet në Tetovë, vishet sërish kuqezi

Enur Totre sërish pjesë e Shkëndijës, pasi që mesfushori u prezantua si lojtari më i ri i “kuqezinjve”. Në fakt bëhet fjalë për një rikthim në Tetovë, aty ku 26-vjeçari ka fituar më parë tre tituj kampionë dhe dy Kupa të Maqedonisë së Veriut gjatë aventurës 7-vjeçare. Totre është huazuar deri në fund të sezonit nga ukrainasit e Vorskla, ekip ku u transferua verën e kaluar nga Tirana për shumën 250 mijë euro.

 

“Është ndjenjë shumë e bukur sërish të kthehem në shtëpi, në klubin ku u rrita dhe u afirmova si futbollist. Shkëndija ka vend të veçantë në jetën time dhe jam shumë i lumtur që sërish do të mund të kontribuoj për këtë fanellë. Falënderoj klubin për këtë mundësi dhe shpresoj që bashkarisht të realizojmë objektivat”, u shpreh futbollisti nga Tetova.

 

Totre ishte pjesë e Tiranës në Superiore sezonin e fundit. Me bardheblutë shkëlqeu në mesfushë dhe ia doli të shpallej kampion i Shqipërisë. Tani synon të ndihmojë skuadrën e zemrës për të fituar titullin kampion. Shkëndija renditet në vendin e tretë në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, me 9 pikë dhe një ndeshje më pak se Struga Trim Lum si kryesuese./Supersport/

 

LEXO EDHE:

Back to top button