Trafikantët braktisin dy vajza të mitura në kufirin SHBA-Meksikë

Dy fëmijë të mitur u braktisën në mes të natës në shkretëtirën e shtetit të Nju Meksikos, pasi u hodhën nga muri ndarës në kufirin SHBA-Meksikë.

Videoja e publikuar nga patrulla kufitare amerikane tregon dy vajza të vogla që lëshohen nga persona të tjerë nga sipër gardhit e që më pas largohen me vrap në një kodër në anën meksikane të kufirit.

Në një deklaratë, autoritetet kufitare amerikane deklaruan se një agjent i pajisur me kamera me rreze infra të kuqe kishte lokalizuar dy vajzat, që rezultoi të ishin motra nga Ekuadori, të moshave 3 dhe 5 vjeç.

Agjenti lajmëroi policinë, që mori dy vajzat dhe i transportoi në një stacion kufitar, ku ato iu nënshtruan një kontrolli mjekësor dhe po mbahen përkohësisht.

“Jam e tmerruar nga mënyra se si këta trafikantë, në mënyrë mizore hodhën fëmijët nga muri i lartë natën e kaluar,” – komentoi Gloria Chavez, shefja e patrullave kufitare në El Paso.

Situata në kufirin SHBA-Meksikë, ku janë mbledhur emigrantë të shumtë që presin të kalojnë kufirin, është një nga sfidat kryesore të administratës së presidentit Joe Biden, i cili ka anuluar disa urdhra ekzekutivë të paraardhësit të tij Donald Trump, por nuk u ka ofruar ende refugjatëve akses në Shtetet e Bashkuara.

LEXO EDHE:

Back to top button