Tragjedia në Koçan/ 15 persona po trajtohen në “Shën Naum i Ohrit”, 4 pacientë në kujdes intenziv e 4 të tjerë në shok dhomë

Tragjedia në Koçan/ 15 persona po trajtohen në “Shën Naum i Ohrit”, 4 pacientë në kujdes intenziv e 4 të tjerë në shok dhomë

Gazetare: Melihate Rustemi

15 persona për momentin po trajtohen në Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum i Ohrit”  në Shkup ndërsa 14 të tjerë tashmë janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në shtetet fqinje dhe ato evropiane.

Drejtuesit e Klinikës bëjnë të ditur për Alsat se në kujdes intenziv janë 4 pacientë ndërsa 4 të tjerë në shok dhomë.

Gjendja shëndetësore e pacientëve të tjerë mbetet stabile dhe që të gjithë janë në kontakt të vazhdueshëm me të afërmit e tyre.

Edhe familjarët e të shtruarve vazhdojnë të mbeten në spital në pritje të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të të afërmeve të tyre.

Pavarësisht tentimeve të vazhdueshme të Alsat, familjarët sërish refuzuan prononcimin para kamerës me arsyetimin se nuk janë në gjendje për të thënë asnjë fjalë për tragjedinë që pësuan fëmijët ose të afërmit e tyre.

Ministria e Shëndetësisë tashmë ka bërë të ditur se në koordinim me Spitalin Psikiatrik dhe Klinikën e Psikiatrisë, po formohen ekipe të lëvizshme të përbëra nga psikiatër dhe psikologë, të cilët do të ofrojnë mbështetje psikologjike për familjet dhe pacientët.

Nga Shëndetësia thonë se të gjithë ata që kanë nevojë për këshillim ose ndihmë, është e disponueshme linja telefonike 078 378 754, përmes së cilës profesionistë të fushës do të ofrojnë mbështetje psikologjike. Si pjesë e kësaj nisme, një ekip i lëvizshëm, i përbërë nga dy mjekë dhe një psikolog, do të angazhohet në Koçan, me qëllim ofrimin e mbështetjes psikologjike të duhur dhe në kohë për qytetarët./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button