Tragjedia në Koçan, heshtja që vret!
Tragjedia në Koçan, heshtja që vret!

Gazetare: Ajnur Bafqari
Në ditën e varrimit të viktimave të tragjedisë në Koçan, këtë qytet e ka mbuluar trishtimi i heshtjes dhe petku i zisë.
Fotografitë e shumë të rinjve me shirit të zi, qëndrojnë në qendër të Koçanit mes lulesh dhe qirinjve që po digjen, përderisa vetëm disa kilometra nga qendra, varrosen trupat e të rinjve që humben jetën në tragjedinë e 16 marsit.
Aty ku qëndron edhe libri i zisë, qytetarët mes lotësh, shkruajnë fjalët e fundit për të rinjtë.
“Jetojmë në fund të qytetit, dëgjojmë vetëm heshtjen, e dini sa është e tmerrshme të dëgjosh vetëm heshtjen, qyteti është i vdekur këto ditë, më vjen keq”, u shpreh një qytetare.
“Nuk e dijë, erdha që të shkoj në varrim pasi kam kolegë, shokë dhe një kolegë që e kisha shef, dhe ashtu”, tha një qytetar.
“Askush nuk është mirë, të gjithë janë të sëmurë, është diçka që Zoti mos ia dhasht askujt që t’i ndodhë asnjëherë. Nëse shkoni në rrugët e Koçanit nuk ka qytetarë, nëse ndonjë shkon të kryejë ndonjë punë e bën me shpejtësi. Dy veta nuk qëndrojnë së bashku që të mos flasin”, deklaroi një qytetare.
Qytetarët thonë se heshtja e trishtë që ka mbuluar fund e krye qytetin do të zgjasë edhe për shumë kohë në këtë qytet ku të gjithë njihen me njëri tjetrin./Alsat.mk