Tragjedia në Koçan, LSDM: Pushteti po e mbron nga ndjekja penale mbikëqyrësin e turnit Dragan Kazak Petrushev

Tragjedia në Koçan, LSDM: Pushteti po e mbron nga ndjekja penale mbikëqyrësin e turnit Dragan Kazak Petrushev

 

Gazetar: Mihajllo Donev

Akuza të reja nga opozita në lidhje me zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. LSDM-ja pretendon se pushteti po e mbron nga ndjekja penale mbikëqyrësin e turnit Dragan Kazak Petrushev, i cili ishte përgjegjës për kontrollin e veprimit në diskotekë në mbrëmjen fatale të 16 marsit. Sipas opozitës, publiku duhet të dijë nëse ishte Petrushev ai që mbylli dyert dhe nuk lejoi askënd të largohej nga diskoteka.

“A është e vërtetë se ekziston regjistrim që tregon Dragan Petrushevin duke mbyllur personalisht dyert e diskotekës “Puls” dhe duke mos lejuar askënd të dalë nga objekti, në kundërshtim me procedurat standarde të operimit? Nëse prokuroria posedon pamje të tilla nga kamerat e sigurisë së diskotekës, pse deri më tani nuk ka pasur asnjë aktakuzë kundër Petrushev? A ka Dragan Petrushev shpjegim pse nuk e bën kontrollin e aksionit në ambientet e “Puls” në orën 12:30 në fillim të festës?”, tha Metodija Ilievski, nënkryetar i LSDM-së.

Opozita pretendon se Petrushev edhe në të kaluarën ka qenë i mbrojtur nga partia në pushtet, ndërsa tani publikisht kërkuan përgjigje edhe për këtë çështje.

“A është e vërtetë se ndaj Petrushevit po zhvillohet edhe një procedurë tjetër për zbulimin e sekretit zyrtar dhe kontakt me kriminelë të cilët, në vend që t’i ndiqte, i ka informuar për procedurat që janë duke u zhvilluar kundër tyre? A është i mbrojtur Dragan Kazak Petrushev sepse është anëtar i theksuar i VMRO-DPMNE-së në Koçan dhe prej vitesh i kryen punët e pista të partisë në këtë qytet?”, shtoi Metodija Ilievski, nënkryetar i LSDM-së.

Këto janë pjesa e dytë e akuzave për çka LSDM thotë se hetimi është selektiv për tragjedinë në Koçan. Në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan humbën jetën 62 persona, ndërsa hetimi i prokurorisë për shkaqet e zjarrit përfshiu 46 persona./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button