Tragjedia në Koçan, OJQ-të: Korrupsioni, vepër që vret
Tragjedia në Koçan, OJQ-të: Korrupsioni, vepër që vret

Gazetar: Suad Bajrami
Korrupsioni nuk është vepër penale pa viktima dhe kjo është vërtetuar në disa tragjedi që kanë ndodhur në Maqedoni, e së fundmi dhe në Koçan ku 59 persona humbën jetën tragjikisht. Për këtë, Platforma e Organizatave Qytetare për Luftë Kundër Korrupsionit, propozon masa konkrete me qëllim që të ndalohet praktika e pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë selektive me qëllim të parandalohet përsëritja e tragjedive.
“Për fat të keq, pas rastit në Llaskarcë, rastit me Besa Trans, zjarri në Spitalin Modular në Tetovë, duhej të ndodhte zjarri në Koçan që prej fillimit të rikujtohemi se korrupsioni shumë-dekadësh sistematik merr jetë. Mungesa e përgjegjësisë dhe zbatimi selektiv i ligjeve krijuan ambient në të cilin tragjeditë janë rezultat i pritshëm, ndërsa besimi në institucione është rrënuar thellë” tha Snezhana Kamillovska – Trpovska.
“Narrativi i përgjithshëm rreth tërë rastit me tragjedinë në Koçan është se sistemi dështon për shkak të korrupsionit sistematik dhe veprimeve korruptive që ndërlidhjen njëra me tjetrën, megjithatë mund të hetojmë se të paktën në këtë fazë, shumë pak prej personave të përfshirë, dyshohen pikërisht për vepra penale që lidhen me korrupsion. Dhe kjo, është edhe një pasojë prej ndryshimeve të Kodit Penal, megjithatë është dhe pasojë e politikës ndëshkimore shumë-vjeçare të ulët dhe të butë që shteti e ka pasur në pikëpamje të korrupsionit”, u shpreh Darko Avramovski, Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta.
Organizatat në 11 kërkesat e tyre theksojnë që duhet të ketë hetim të plotë, të paanshëm dhe transparent, të reformohet politika ndëshkuese, por të ketë edhe përgjegjësi për institucionet dhe kompanitë që nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kjo, të mos bëhet vetëm në letër, por të kontrollohet në terren. OJQ-të kërkojnë që të vihet në llupë gjendja pronësore dhe interesat e inspektorëve dhe zyrtarëve të cilët bëjnë kontrolle dhe vendosin për licenca dhe leje pune. Më tej, kërkohet revizion i procedurave për marrjen e licencave, ndryshimin e kuadrit ligjor, veprim ndaj gjetjeve të Antikorrupsionit dhe Entit të Revizionit dhe vendosje të përgjegjësisë. Në fund, organizatat kërkojnë që të ndalohet me trysnitë ndaj tyre dhe mediave. /Alsat.mk