Tragjedia në Koçan/ Taravari: 4 pacientë në gjendje kritike

Tragjedia në Koçan/ Taravari: 4 pacientë në gjendje kritike

Gazetare: Linda Ebibi

Tetë pacientë të tjerë të cilët ishin për trajtim mjekësor jashtë vendit për shkak të lëndimeve të marra nga zjarri në Koçan sot do të kthehen në vend. Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve e që trajtohen jashtë vendit mbetet 99, shkruan Alsat.

Gjithashtu nëntë pacientë të cilët mjekoheshin në vend janë lëshuar për mjekim shtëpiak. Gjendja kritike shëndetësore vazhdon të mbetet për katër pacientë të tjerë të cilët janë jashtë vendit.

“Gjithsej pacientë që shërohen jashtë shtetit janë 108, prej të cilëve 8 është paralajmëruar se kthehen, dy prej Belgjike, dy prej Austrie, dy prej Kroacisë, dhe dy prej Turqisë, dhe një pacientë që shërohet në Suedi tashmë është në shërim shtëpiak, por qëndron edhe disa ditë atje derisa të kthehet. Praktikisht nesër do të mbetemi me 99 pacientë…Mbeten katër pacientë pak më kritik, por në dallim prej dje sot janë në gjendje pak më mirë, por përsëri në situatë të vështirë”, tha Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.

Drejtori i Toksikologjisë Andon Çibishev tha se pas kryerjes së analizave të nevojshme të katër pacientëve që dje janë kthyer nga Spanja janë lëshuar për shërim shtëpiak.

“Te ne kemi pasur dy pacientë që janë pranuar në ditën e parë ose të dytë, ishin stabil por nuk kemi qenë të kënaqur plotësisht me analizat që kemi bërë. Dje në mbrëmje kanë ardhur te ne 4 pacientë të cilët ishin jashtë shtetit, të cilën janë rehabilituar menjëherë. Sot gjatë vizitës përsëri i pamë, kemi bërë analizat toksikologjike dhe laboratorike dhe të gjitha analizat ishin brenda vlerave referente dhe sot edhe ata katër pacientë që janë kthyer nga Spanja  dhe dy pacientët i kemi lëshuar për kurim shtëpiak në gjendje të shkëlqyer shëndetësore”, u shpreh Andon Çibishev, drejtor i Klinikës së Toksikologjisë.

Ekipi i kirurgëve plastikë dje ka qenë në spitalin e Koçanit ku janë hasur me mungesë të kuadrit dhe materialeve të nevojshme për mjekim.  Ndërsa, drejtoresha e Kirurgjisë Plastike thotë se infeksionet mund të ndodhin në secilën fazë të shërimit.

“Për infeksionet askush nuk mund të thotë asgjë, ato mund të ndodhin në secilën fazë të shërimit, deri sa të shërohet komplet plaga. Për momentin mund të them se faza e parë dhe e dytë janë relativisht stabile dhe të mira pa ndonjë infeksion të madh. Mund të them se ata që ishin në shkallën e dytë të djegies  janë shëruar plotësisht, për më tej do të shohim koha do të tregojë”, theksoi Jasmina Gjorgjievska Pavllovska, drejtoreshë e Kirurgjisë Plastike.

Ndërkaq, 24 pacientë po trajtohen në klinikat e vendit. Shtatë pacientë ndodhen në Qendrën Klinike, në spitalin e vjetër të qytetit ndodhen gjashtë pacientë, në spitalin  “8 Shtatori” ndodhen tetë pacientë, ndërsa në klinikat private po mjekohen tre pacientë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button