Tragjeditë ndër vite në Maqedoninë e Veriut

Tragjeditë ndër vite në Maqedoninë e Veriut

Gazetar: Suad Bajrami

Tragjedia e Koçanit është ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në historinë më të re të Maqedonisë. Trishtimi nga zjarri në klubin e natës Puls, që ndali pulsin e 59 personave të rinj, riktheu kujtesën e hidhur dhe trishtimin e tragjedive që kanë mbuluar në zi vendin gjatë viteve të fundit, dhe jo vetëm.

Disa shkëndija nga xixat e fishekzjarrëve të cilat ishin ndezur për të nxehur atmosferën e performancës së grupit muzikor DNK, duket të jenë shkaktarët e zjarrit që kaploi me shpejtësi tavanin e më pas tërë objektin e improvizuar në diskotekë.

Pamjet katastrofike nga vendi i ngjarjes dhe fytyrat e trishtuara të të lënduarve, por edhe familjarëve të cilët i kërkonin fëmijët e të afërmit e tyre nëpër spitale, s’ka se si të mos jenë deja vu apo skenë e përsëritur e djegies së Spitalit Modular para katër vitesh. Në natën kur kreu shtetëror e gjithë vendi shënonte 30-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë, qytetarët u tronditën nga lajmi se në Spitalin e improvizuar ku po trajtoheshin pacientët me Covid19 ka shpërthyer zjarr dhe flamujt e ngritur lartë për festë, u ulën. Tmerrin e asaj nate, kur 14 qytetarë ndërruan jetë në shtratin e shpresës për të shpëtuar nga virusi keqbërës, nuk do ta harrojnë kurrë 12 pacientët të cilët u shpëtuan flakëve të zjarrit mrekullisht. Derisa sot po dëgjohen zëra dhe kërkohet llogari për përgjegjësit e zjarrit në Koçan, deri më sot, ende askush nuk është ndëshkuar për 14 jetët e humbura në rrethana të tmerrshme. Pavarësisht se spitali s’ka pasur sistem përkatës kundër zjarrit dhe ka qenë i ndërtuar nga material lehtësisht i djegshëm.

Të freskëta janë edhe kujtimet tragjike të aksidentit të autobusit të agjencisë turistike Besa Trans në Bullgari më 23 nëntor të vitit 2023. Autobusi ishte nisur nga Stambolli për t’i kthyer në shtëpi 52 udhëtarët të cilët për disa ditë kishin qenë në ekskursion. Megjithatë, 45 prej tyre nuk u kthyen më, pasi tragjikisht humbën jetën në autostradën Struma, në afërsi të Pernikut apo rreth 35 kilometra afër Sofjes. Aksidenti i tmerrshëm ka ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit, pasi shoferi e ka humbur kontrollin. Autobusi, pas goditjes është bllokuar te bankina, ndërsa udhëtarët nuk kanë mundur t’i hapin dyert. Sipas dëshmitarëve fillimisht është dëgjuar shpërthim i fuqishëm prej pjesës së përparme të autobusit, ndërsa me shpejtësi autobusi ka marrë flakë dhe është djegur tërësisht. Vetëm 7 udhëtarë kanë arritur të shpëtojnë nga tmerri, pasi kanë thyer dritaren e pasme të autobusit. Për jetët e humbura u hap hetim në Bullgari, por fajtor u shpall shoferi, i cili kishte humbur jetën në aksident. Në vend, po zhvillohet proces gjyqësor në lidhje me certifikatën e licencës së autobusit të akisdentuar që sipas Prokurorisë, BESA Trans e ka falsifikuar. Megjithatë, procesi ende nuk ka epilog të plotfuqishëm.

Drejtësi ende nuk ka gjetur as rasti tragjik i autobusit të kompanisë transportuese “Durmo Turs”, kur më 13 shkurt të vitit 2019 humbën jetën tragjikisht 16 persona, ndërsa 38 të tjerë u lënduan. Mbetjet e qirinjve në lëndinën ku para gjashtë vitesh, përfundoi i përmbysur autobusi, dëshmojnë se kujtimi për viktimat ende është i gjallë, ndërsa nuk është shuar edhe zëri për drejtësi. Krahas traumës dhe dhimbjes disavjeçare, familjarët e viktimave bartin edhe peshën e drejtësisë së ngadaltë, të cilës më së miri i përshtatet maksima e njohur drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar. Te disa shpresat janë zbehur, e disa të tjerë ndër vite, me pafuqinë e tyre këmbëngulin të ndëshkohen përgjegjësit e këtij aksidenti tragjik. Procesi gjyqësor, aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, ndërsa më 2 dhe 3 prill pritet të mbahet seancë publike.

Që nga pavarësia e shtetit, në Maqedoni kanë ndodhur disa aksidente tragjike të cilat do të mbahen mend, sidomos për nga numri i viktimave.

Aksidenti me më shumë viktima në historinë e vendit është ai i “Avioimpeksit” i tipit “Jak 42 D” i cili ka ndodhur më 22 nëntor të vitit 1993. Avioni kthehej nga Gjeneva për Shkup, ndërsa është devijuar për në Ohër për shkak të kushteve të këqija atmosferike në aeroportin e Shkupit. Gjithsej 115 persona gjetën vdekjen, ndërsa vetëm njëri mbijetoi, por edhe ai pas disa ditëve iu nënshtrua plagëve. Versioni zyrtar i hetimit ishte se aksidenti ka ndodhur për shkak të gabimit të pilotëve. Ndërsa po i afrohej aeroportit, avioni është përplasur në një kodër në zonën e fshatit Trojani, në afërsi të aeroportit të Ohrit.

Në po të njëjtin vit, gjegjësisht më 5 mars 93-tës, ka ndodhur edhe një aksident tjetër me gjithsej 86 viktima i kompanisë “Paler Makedonija”. Për shkaqe morale, ministri i atëhershëm për Transport, Antoni Peshev dha dorëheqje.

Më 5 shtator, listës së datave të tragjedive i shtohet edhe fundosja e anijes “Ilinden” në Ohër, ku si pasojë humbën jetën 15 turistë nga Bullgaria.

Gjithashtu, për çdo vit shënohet edhe aksidenti tragjik i avionit qeveritar “Kinger” më 26 shkurt të vitit 2004. Në aksidentin tragjik që u rrëzua në Mostar të Bosnje dhe Hercegovinës, humbi jetën presidenti Boris Trajkovski, bashkë me 6 bashkëtpunëtorë dhe dy pilotë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button