Trajneri i Zvicrës: Nuk ka më vëllazërore me Kosovën
Kombëtarja e Zvicrës ndez motorët para Botërorit 2026. Trajneri Jakin kërkon fitore, ndërsa sulmuesi Ndoje është gati të marrë skenën. Në prag të nisjes së kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, Zvicra zhvilloi konferencën për shtyp përpara përballjes së shumëpritur me Kosovën, që do të luhet të premten mbrëma në Bazel.
Përzgjedhësi i helvetikëve, Murat Jakin, nuk e fshehu pritshmërinë për një start perfekt. Ai theksoi se ndeshjet e para në shtëpi janë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të grupit.
“Ndeshjet në shtëpi janë për t’u fituar. Grupi është i vështirë, por dy sfidat ndaj Kosovës dhe Sllovenisë na japin mundësinë për të marrë një pozicion të fortë që në start”, deklaroi Jakin.
Trajneri paralajmëroi gjithashtu se atmosfera në stadium do të jetë e veçantë, për shkak të ndarjes së tifozëve mes dy kombëtareve.
“Në dy ndeshjet e mëparshme këtu kundër Kosovës, publiku ka qenë pothuajse 50:50. Dikur flitej për një duel vëllazëror miqësor, por këtë herë është ndryshe, është ndeshje zyrtare”, nënvizoi ai.
Një nga figurat më të pritura në këtë takim është Dan Ndoje, i cili pas transferimit të bujshëm nga Bolonja te Notingham Forest për 42 milionë euro ka shkëlqyer në Premier League, duke regjistruar një gol dhe një asist në tri ndeshjet e para. Ndoje, që pritet të bëjë paraqitjen e tij të 23-të me fanellën e Zvicrës, tashmë shihet si një nga lojtarët kyç të kombëtares.
Me synimin për të siguruar një vend të fortë që në nisje të kualifikimeve, helvetikët pritet të zbresin në fushë të vendosur dhe të mbështetur nga një atmosferë elektrizuese, që premton emocion të madh në mbrëmjen e së premtes në Bazel.






