Trajneri i Liverpullit, Arne Slot, ka shpjeguar arsyen pse Federiko Kieza nuk është përfshirë në listën e skuadrës për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Gallatasarajt. Javën e kaluar, ata u detyruan të bënin një ndryshim të vonshëm në skuadër pasi mbrojtësi Xhiovani Leoni pësoi një dëmtim serioz në gju. Sipas rregullores së re të UEFA-s për sezonin 2025/26, klubet mund të zëvendësojnë një lojtar në rast dëmtimi afatgjatë (minimumi 60 ditë), me kusht që ndryshimi të bëhet para përfundimit të javës së gjashtë.
Në këtë mënyrë, Kieza u regjistrua, pasi fillimisht kishte qenë i vetmi lojtar i ekipit të parë që nuk ishte futur në listë. Italiani shënoi të shtunën pasi hyri nga stoli në humbjen 2-1 ndaj Kristal Palace në Premierligë, gjë që e bëri surprizë mungesën e tij në listën e udhëtimit për në Turqi.
Arne Slot ka konfirmuar se Kieza pësoi një shqetësim të vogël në fundin e ndeshjes kundër Kristal Pallasit.
“Pati një problem të vogël në ndeshjen e fundit. Sot provuam në stërvitje, por nuk arriti ta përfundonte seancën, ndaj vendosëm ta lëmë jashtë sepse pas pak ditësh kemi ndeshjen me Çellsin,” tha trajneri holandez.
Liverpulli tashmë e ka regjistruar zyrtarisht Kiezën, ndaj ai do të mund të luajë në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kampionëve. Sulmuesi italian shpreson të rikuperohet në kohë për sfidën e së shtunës ndaj Çellsit, pas një sezoni 2024/25 të mbushur me dëmtime.
Ai humbi 14 ndeshje nga shtatori deri në dhjetor për shkak të një problemi muskulor dhe pati vështirësi të rikthehej në formacion.








