Tramp paralajmëron amerikanët: Dhimbje afatshkurtër për shkak të ndikimit të tarifave

Tramp paralajmëron amerikanët: Dhimbje afatshkurtër për shkak të ndikimit të tarifave

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, i ka paralajmëruar amerikanët se mund të përballen me “vuajtje” ekonomike, për shkak të tarifave tregtare që sapo i ka vendosur ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së. Ai gjithashtu kërcënoi me luftë më të gjerë tregtare, për t’i përfshirë edhe Bashkimin Evropian mbase edhe Britaninë e Madhe. Tramp u tha gazetarëve se synon të bisedojë me liderët e Kanadasë dhe Meksikës, në lidhje me tarifat të cilat ekspertët thonë se mund ta trazojnë ekonominë botërore. Tramp tha se tarifat ndaj mallrave nga BE-ja do të “vendosen patjetër” dhe se kjo do të ndodhë “shumë shpejt”.

“Ne mund të kemi pak dhimbje afatshkurtër. Dhe njerëzit e kuptojnë këtë. Por për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara janë shkatërruar nga pothuajse çdo vend në botë. Ne kemi një deficit mbi 300 miliardë dollarë. Ata nuk na marrin makinat, nuk marrin produktet tona bujqësore, nuk marrin pothuajse asgjë dhe ne marrim gjithçka prej tyre, miliona makina, ushqime dhe produkte bujqësore të jashtëzakonshme, kështu që Mbretëria e Bashkuar është shumë jashtë linjës, dhe ne do të shohim Mbretërinë e Bashkuar, por Bashkimi Evropian është me të vërtetë jashtë linjës, por unë mendoj se një gjë mund të arrihet. Por ajo që ka bërë Bashkimi Evropian është një mizori”, tha Donald Tramp, president i SHBA-së.

Ditë më parë BE-ja tha se do të kundërpërgjigjej “fuqishëm”, nëse Trampi vendos tarifa, pavarësisht se shpreson në shmangien e një lufte tregtare përmes bisedimeve. Vendet e prekura Kanadaja, Meksika dhe Kina kanë kërcënuar se do të ndërmarrin veprime hakmarrëse, derisa gjithashtu kanë bërë thirrje për bisedime tregtare në vend të tarifave, të cilat mund t’i rrisin çmimet për konsumatorët dhe t’i dëmtojnë ekonomitë e të gjitha palëve të përfshira. Tramp tha se ai i vendosi këto tarifa ndaj fqinjëve të SHBA-së derisa të ndalet fluksi i emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu ka thënë se këto tarifa do të ndihmojnë në uljen e deficitit tregtar me partnerët kryesorë dhe do të nxisin prodhimin industrial në SHBA. Trumpi e bëri të ditur premtimin e kamotshëm ekonomik më 1 shkurt, duke thënë se Uashingtoni do t’i godasë Kanadanë dhe Meksikën me tarifa prej 25 për qind për të gjitha mallrat, megjithëse produktet energjetike kanadeze do të përballen me një tarifë prej 10 për qind. Tarifat e reja përfshijnë gjithashtu një taksë prej 10 për qind për mallrat nga Kina, përveç atyre të vendosura më parë. Tramp tha se tarifat për mallrat nga të tre vendet do të hyjnë në fuqi më 4 shkurt. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button