Transporti publik në Tetovë edhe pse është rikthyer në funksion, pengohet nga vozitës të pandërgjegjshëm
Transporti publik në Tetovë edhe pse është rikthyer në funksion, pengohet nga vozitës të pandërgjegjshëm
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Transporti publik në Tetovë edhe pse është rikthyer në funksion, pengohet nga vozitës të pandërgjegjshëm. Shoferët e autobusëve hasin në vështirësi të përditshme nga makinat që parkohen në vendet ku autobusi duhet të ndalet për qytetarët.
“Ja shiheni vet, tani jam në stacion dhe shiheni si është parkuar! Unë detyrohem të parkohem në mes të rrugës t’i pengoj vozitësit pas meje sepse bllokoj rrugën. Besoni nuk ka stacion që nuk është i bllokuar. Nuk e di si mund të zgjidhet kjo, duhet mbase polici më shumë, edhe pse punon policia por sërish tek vozitësit e pandërgjegjshëm është”, tha Predrag Masovski, shofer i autobusit .
Ankesën e njejtë e kanë edhe qytetarët. Disa prej tyre detyrohen që autobusin ta presin në rrugë ku frekuentojnë makinat.
“Vjen po vjen në kohë, por nga makinat nuk mund të kalosh për te autobusi. Tek gjyqi kur pres duhet të dal në rrugë”, tha një banor.
“Vjen fiks në kohë, udhëtoj rregullisht. Por parkimi i automjeteve na nervozon”, tha një banor.
“Na nervozon parkimi i veturave gjithnjë parkohen kështu”, u shpreh një banor.
Nga Ndërmarrja e Transportit Publik në Tetovë thonë se problem i vetëm mbetet humbjet e mëdha që ka subjekti.
“Ne gjetëm autobusët vetëm të parkuar dhe me personel apo shoferë me kontratë në komunë, kurse tash, i kemi gjithë të punësuarit dhe stafin e shoferëve me kontribute shëndetësore dhe e kanë më lehtë banorët të shohin kur vjen linja e cila respektohet maksimalisht. Komuna e Tetovës faktikisht e mbulon pjesën e humbjes së ndërmarrjes dhe realisht vetëm me inkasim nga biletat e banorëve që shfrytëzojnë transportin ndërmarrja nuk mbijeton dot”, tha Arbër Ajdini, drejtor i NT “Tetova Transport”.
Ndërmarrja nuk ka vend për administratën dhe parkimin e autobusëve. Hapësirat për funksionim i shfrytëzon me qira. Problem më i madh vazhdon të mbetet çështja e parkimit të autobusëve sidomos gjatë dimrit, të cilët në mungesë të një garazhi të ndërmarrjes, shfrytëzojnë parkingun e jashtëm të UEJL-së si dhe zyrat e objektit të këtij universiteti për administratën e ndërmarrjes./Alsat.mk