Transportuesit presin takimin me kryeministrin

Transportuesit presin takimin me kryeministrin

Gazetare: Evi Shkopi

Transportuesit privatë presin takimin me kryeministrin, por ky i fundit nuk planifikon datë takimi pa dalë paraprakisht Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja për Qarkullim Publik me qëndrim për raportin e revizionit të realizuar tek transportuesit privatë nga Drejtoria për të Ardhura Publike.

“Qeveria vazhdon të mbështesë zgjidhjen e problemit të transportuesve privatë në Shkup. Presim që  Bordi Drejtues i NQP-së dhe shërbimet e Qytetit të Shkupit, si kompetente për rastin, të deklarohen pas raportit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Në këtë mënyrë do të ketë bazë për një diskutim thelbësor në takimin e paralajmëruar nga kryeministri Kovaçevski. Ne presim që kjo të kontribuojë në një zgjidhje më të shpejtë të problemit.”, thonë nga Qeveria.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit kohët e fundit nuk është parë shumë shpesh në publik. Në një konferencë të realizuar dy ditë më parë ajo foli edhe për transportuesit privatë, por nuk tha asnjë koment të vetëm për raportin e DAP-it. U tha gazetarëve që pyetjet t’i dërgojnë përmes postës elektronike, por edhe aty jo gjithmonë shërbimet denjojnë të japin përgjigje. Në shpalljen Publike të Qytetit për plotësim të disa linjave nuk është paraqitur askush.

 “Qyteti i Shkupit mundet edhe pa transportuesit privatë, e organizojmë transportin publik. Bëjmë reforma në transportin publik, do të hyjmë në procedurë për blerje të autobusëve të rinj ekologjik, diçka që është mbështetur edhe nga Këshillit për vitin e ardhshëm… Qyteti i Shkupit nuk ka asnjë borxh, Qyteti i Shkupit jep leje për kryerjen e transportit publik, këta persona e kanë shkelur atë marrëveshje, nëse donin të punojnë me nder, nëse s’janë paraqitur kjo tregon shumë”, u shpreh Danella Arsovska- kryetare e Qytetit të Shkupit.

Slloboda Prevoz” dhe” Makekpress” tërhoqën autobusët nga bllokimi i bulevardeve, sepse kryeministri publikisht u premtoi takim pasi të përfundonte raporti i revizionit nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. Transportuesit privatë thanë se që kur ata janë tërhequr disa linja nuk kanë fare autobus, siç është ajo me numër 45, ndërsa disa të tjera nga 10 autobus sa kanë pasur në qarkullim, tani kanë vetëm nga dy. Dëmin kolateral në këtë situatë tashmë disa muaj e vuajnë qytetarët. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button