Transportuesit privatë në protestë para NQP-së, kërkojnë pagesën e borxhit
Transportuesit privatë në protestë para NQP-së, kërkojnë pagesën e borxhit

Gazetare: Evi Shkopi
Transportuesit privatë protestuan sot para Ndërmarrjes për Qarkullim Publik dhe kërkuan takim me drejtorin e kësaj ndërmarrje. Revolta e tyre është shtuar pasi as Qyteti i Shkupit dhe as kryeministri nuk po ju ofrojnë zgjidhje për, siç thonë, pastrimin e borxhit.
“Jemi këtu për të kërkuar një takim me drejtorin e NQP-së. Ne nuk kemi marrë asnjë të ardhur për 6 muaj. Javën e kaluar morëm një pagesë nënçmuese prej 5000 denarë, prandaj erdhëm të pyesim se përse janë lëshuar vetëm 5 mijë denarë. Nëse nuk kemi përgjigje nga drejtori për zgjidhjen e problemeve tona, atëherë do të paraqesim sërish kërkesë për takim me Arsovskën dhe shpresa jonë e fundit do të jetë kryeministri Dimitar Kovaçevski”, tha Jovica Zafirovski- pransportues privat.
Ata thonë se tashmë kanë formuar një këshill të ri dhe se do të përpiqen që zgjidhjen ta gjejnë përmes dialogut, në të kundërtën nga java tjetër kryeqyteti nga dita e hënë bllokohet sërish.
“Kemi bërë Këshill të ri, nuk është këshilli i vjetër. Tani do të përpiqemi që dialogun ta realizojmë ndryshe. Jo me ofendime, por me dialog, që të kthejmë punën tonë, sepse është familja jonë në pyetje. Gjendja financiare është katastrofë, jemi pa punë dhe kemi shumë fatura të papaguara. Na kanë ardhur përmbaruesit”, u shpreh Memed Asani- transportues privat.
Në protestë nuk erdhën drejtorët e “Sloboda vravoz” dhe “Makexpress” Lenin Jovanovski dhe Milorad Dimitrievski, të cilët me muaj të tërë i përkrahën bartësit dhe i udhëhoqën negociatat për pagesën e borxhit milionësh. Qyteti i Shkupit në fund të vitit të kaluar ka shpallur dy thirrje publike për rreth 50 autobusë dhe mbi 100 shoferë për pesë linja, për të cilat askush nuk ka aplikuar, ndërsa kompanitë private thonë se nuk kanë konkurruar në shpalljen e qytetit sepse ka qenë për 5 linja, jo 16 si më parë. Thonë se kjo do të thotë se disa prej tyre do të mbeten sërish pa punë dhe për më tepër, nuk kanë besim tek autoritetet e qytetit që t’i paguajnë rregullisht duke pasur parasysh se nuk e pranojnë se kanë borxh. /Alsat.mk