Transportuesit “të humbur” në mjegull, Halili: Kërkesat tona po injorohen

Transportuesit “të humbur” në mjegull, Halili: Kërkesat tona po injorohen

Gazetar: Mefail Ismaili

Kemi humbur në mjegullën që ka kapluar kryeqytetin. Kështu deklarojnë transportuesit privatë, dy muaj pasi Qyteti i Shkupit u prishi marrëveshjet e punës, dhe rreth një muaj prej kur kryeministri Dimitar Kovaçevski u premtoi se do ti pres në takim.

Alsat sot komunikoi me disa nga transportuesit privat. Isen Halili thotë se gjendja e tyre ekonomike po vështirësohet për çdo ditë.
“Kjo është shumë e rëndë për neve, të qëndrosh pa punë më shumë se dy muaj, ndërsa nga ana e firmës duhet ti kalosh të gjitha të dhënat, kontributin, rrogat ti kalosh, tash është edhe bilanci përfundimtar i vitit. Por edhe pa para nuk jetohet, familjet kanë nevojat dhe shpenzimet e përditshme”, deklaroi Isen Halili, transportues privat.

Ai shpreson se që kryeministri do t’i thërret sa më shpejtë pasi nëse ai dëshiron institucionet mund t’ia dorëzojnë me urgjencë dokumentet që i kërkon.

“Mendoj se si pushtet munden që ti kërkojnë të dhënat më shpejtë dhe të ketë të dhëna të sakta dhe të fillojë të zgjidhet problemi jonë, sepse ky ankth nuk durohet, nuk mund të vazhdojmë kështu, jo vetëm ne si transportues por edhe qytetarët që presin nëpër këto ditë të ftohta nëpër stacione sepse autobus nuk ka, ndërsa autobusët tona presin nëpër parkingje për kot”, tha Isen Halili, transportues privat.

Kërkuam qëndrim edhe nga Qeveria nëse kanë kërkuar raport nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për çështjen me transportuesit privat në kryeqytet dhe nëse e kanë marrë atë raport. Por nga Qeveria nuk u përgjigjen pyetjeve konkrete.

Edhe nga DAP iu shmangen përgjigjeve konkrete për pyetjet nëse Qeveria u ka dërguar kërkesë për raport për çështjen e punës dhe borxhit të transportuesve privat dhe Ndërmarrjes për Qarkullim në Shkup.

Heshtje edhe në Qytetin e Shkupit. Edhe pse kërkuam informata lidhur me dy konkurset e Qytetit që transportuesit privat të paraqiten personalisht për të marrë linja të caktuara, nga kabineti i kryetares Danella Arsovska të pakapshëm.

Në muajin nëntor, transportuesit privat në Kryeqytet ndërprenë punën e tyre, duke deklaruar se janë të detyruar të veprojnë në këtë mënyrë për shkak se Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja për Qarkullim publik u kanë borxh prej rreth 1,5 milionë euro, e për këtë arsye nuk mund të vozisin sepse nuk kanë të holla as për të blerë naftë për autobusët. Në vend të negociatave për gjetjen e zgjidhjes, nga Qyteti i Shkupit, zgjodhën të prishin marrëveshjet me transportuesit privat. Për këtë arsye kryeqyteti ka mungesë të madhe të autobusëve, ndërsa qytetarët presin me orë të tëra. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button