Tre nga katër kandidatët për rektor të UT-së, ankohen për presione

Tre nga katër kandidatët për rektor të UT-së, ankohen për presione

Gazetar: Ardit Ramadani

Vullnet Ameti që udhëhoqi me Universitetin e Tetovës për më shumë se 10 vjet dëshiron që me çdo kusht të lë trashëgimtarin e vetë. Kështu akuzojnë tre nga katër kandidatët për Rektor të UT-së. Sipas tyre, Ameti bashkë me udhëheqësinë aktuale të këtij institucioni po bën çmos duke shfrytëzuar pozitën si kryetar i Senatit dhe fuqinë e krijuar ndër vite në UT, që kandidati i përfolur si i BDI-së, Jusuf Zejneli të fitojë garën. Myqereme Rusi thotë se ky Universitet s’guxon të trajtohet si pronë private e dikujt.

“Kjo që ai pretendon dhe të dirigjon se kush do të jetë pasardhës i tij, kjo na tangon të gjithëve dhe nuk është në rregull aspak, të gjithë kemi dinjitetin tonë dhe ky universitet përveç arsimimit, kulturës, mbjell edhe etikë dhe moral tek të tjerët dhe nuk mund të imponojmë dikush ku do të ulet prej individëve të caktuar, nuk është pronë private, personale e dikujt, është pronë e popullit”, deklaroi Myqereme Rusi, kandidate për Rektore të UT-së .

Bashkim Ziberi nga ana tjetër shtoi se ish-Rektori bashkë me UD.Rektorin aktual, Kushtrim Ahmetin vizitojnë fakultetet për t’ju treguar atyre se cilin kandidat duhet ta votojnë.

“Pjesa tjetër është vizita që bëjnë nëpër fakultete nëpërmjet një pjesë të dekanëve që ushtrojnë tek profesorati, por veçanërisht vizitat e kryetarit të senatit dhe UD Rektorit nëpër fakultetet përkatëse siç është fakulteti i shkencave të natyrës ku në rastet konkrete flitet dhe përgojohet, paraqitet në kontekstin negativ me kandidatët, dhe se kandidat i preferuar i tyre ju kërkohet që i njëjti të votohet. Jemi duke i shqyrtuar të gjitha opsionet, deri nesër me të vërtetë po i shqyrtojmë të gjitha opsionet sepse kjo gjendje tregon që këto procese janë të kapura, të shantazhuara dhe procese të tilla nuk i bëjnë mirë universitetit”, deklaroi Bashkim Ziberi, kandidat për Rektor të UT-së.

Kandidati Dervish Alimi thotë se i gjithë procesi filloi me thyerje të ligjit, kur ish-rektori Vullnet Ameti vendosi pa plotësuar kushtet ligjore pro-rektorë dhe në pozita tjera dhe sot të njëjtit shfrytëzohen si “mjete” shantazhi.

“Dikush me çdo kusht dëshiron ta le trashëgimtarin e vetë dhe nuk pajtohet me faktin që duhet të largohet, dhe ai tani dëshiron të lë një njeri që më pas ta kontrollojë nga prapa por se cilat janë motivet unë nuk e di. Nuk është vetëm dëshira e flaktë për të qenë në post, shihet prapavijë ose politike ose dikush ka frikë se i ka futur më shumë duart në mjaltë se që duhet”, tha Dervish Alimi, kandidat për Rektor të UT-së.

Për një pjesë të pro-rektorëve që sot akuzohen se ushtrojnë presion ndaj profesorëve që të votojnë kandidatin Jusuf Zejneli, Inspektorati i Arsimit konkludoi se në ato funksione janë zgjedhur në formë të kundërligjshme nga ish-Rektori Vullnet Ameti. Por ministri i Arsimit Jeton Shaqiri refuzon të ndërmerr masa kundër tyre. Për Rektorin e ardhshëm të UT-së do të votohet nesër.

Ardit Ramadani

LEXO EDHE:

Back to top button