Tre policë të Kosovës, në duart e Serbisë

Tre policë të Kosovës, në duart e Serbisë

Përshkallëzohet situata në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ka njoftuar se tre pjesëtarë të saj janë rrëmbyer nga forcat serbe. Sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, tre zyrtarët kanë qenë të sistemuar në vendin e quajtur Tresave/Bare të angazhuar për parandalimin e shfrytëzimit të rrugëve ilegale për hyrje në Kosovë. Sipas policisë së Kosovës është alarmuar e gjithë bashkësia ndërkombëtare, ndërsa qëllimi i palës serbe është pengimi i arrestimit të kriminelëve në veri. Policia e Kosovës tha se do të shtojë praninë e saj në vendet ku vlerësohet se është e nevojshme.

“Sot në mesditë, në thellësi të territorit të Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se njësitet speciale të Serbisë, në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues. Pra dua ta theksoj se ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia e Kosovës dëshiron të theksojë se njësia policore patrulluese ka qenë me detyrë zyrtare në pikë statike në vendin e quajtur Tresave apo Bare, pra thellë brenda në territorin e Kosovës. I kemi lëvizur të gjitha mekanizmat, në mënyrë që zyrtarët tanë të kthehen shëndosh e mirë në Kosovë”, deklaroi Baki Kelani, Policia e Kosovës.

Policia e Serbisë publikoi pamjet e kapjes së policëve të Kosovës.

Serbia pretendon se policët e Kosovës janë arrestuar pasi kanë depërtuar në territorin e Serbisë.

“Sot njësiti Antiterror i xhandarmerisë serbe arrestoi tre pjesëtarë të policisë speciale të Kurtit, të cilët ishin të armatosur deri në dhëmbë. Ata u arrestuan në thellësi të territorit të Serbisë Qendrore, në rajonin e fshatit Gnjillicë në komunën e Rashkës. Dua të theksoj se pjesëtarët e policisë tonë nuk kanë shkelur me këmbë në territorin e Kosovës dhe nuk e kanë shkelur as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative”, tha Petar Petkoviq, Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në reagimin e tij ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë, derisa ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.

“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.  Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërkohë pak orë pas rrëmbimit të tre policëve kufitarë në veri, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ndalojë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Vendimi ka hyrë menjëherë në fuqi. Nga ana tjetër për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë, Ministria e Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë nëpër Serbi. “Ju lutemi, ndiqni me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe mos udhëtoni përmes Serbisë. Të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje njoftohen të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button