Tre të plagosurit nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad mbeten në gjende kritike
Tre të plagosurit nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad mbeten në gjende kritike

Gazetare: Ajnur Bafqari
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Dacic, njoftoi për RTS se deri më tani janë marrë në pyetje 26 persona në lidhje me rrëzimin e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ndërsa pritet të merren në pyetje edhe pesë të tjerë. Daçiq sqaroi se hetimi për përgjegjësinë penale tani është në dorë të Prokurorisë. Policia ka marrë deklaratat e zyrtarëve nga Ministria e Ndërtimit dhe Infrastrukturës, përfshirë ministrin dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Poashtu përfshirë drejtuesit dhe përgjegjësit e firmave të ndërtimit dhe mbikëqyrjes.
“Drejtor dhe kontraktor, person përgjegjës, kryeinxhinier për kryerjen e punimeve, përgjegjës për kodin e nënkontraktorit, përgjegjës në autoritetin mbikëqyrës, projektues, drejtor i institutit të trafikut CIP… Janë realizuar gjithsej 26 biseda”, tha Ivica Daçiq, Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë.
Daçiq bëri të ditur se gjatë përpjekjeve të shpëtimit, shpëtimtarët kanë konstatuar se betoni që mbante të ngujuar një nga të lënduarit peshonte rreth 26 tonë. Ai foli edhe për gjendjen e tre të mbijetuarve në këtë aksident.
“Nga 17 njerëz të përfshirë në këtë aksident, vetëm tre kanë mbijetuar, ndërsa të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë. Një i ri dhe një vajzë kanë pësuar amputime në këmbë, ndërsa një vajzë tjetër që u gjet nën rrënoja ka pësuar amputim në dorë”, shtoi Ivica Daçiq, Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë.
Mediat serbe gjatë një analize kanë përmendur se njëri nga dy arkitektët e stacionit hekurudhor në Novi Sad, Imre Farkash, e ka projektuar edhe Gjimnazin e Tetovës në vitin 1951, ndërsa ka qenë edhe profesor në Departamentin e Arkitekturës të Fakultetit teknik në Shkup. Ndërtesa e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad është ndërtuar në vitin 1964 dhe ka zgjatur 8 muaj, ndërsa rikonstruimi “kinez” në shekullin e 21 ka zgjatur 3 vjet./Alsat.mk