Trençevska: Rritja lineare, antikushtetuese

Trençevska: Rritja lineare, antikushtetuese

Gazetar: Adnan Qaili

Rritja e pensioneve në mënyrë lineare është antikushtetuese, thotë Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska. Pensioni është kategori ekonomike dhe jo ndihmë sociale, andaj vlerën e pensionit e merr secili aq sa ka kontribuar në fondin Pensional, tha Trençevska. Ajo theksoi se me sistemin e harmonizimit të pensioneve në çdo 6 muaj nënkupton rritje të pensioneve në përqindje të caktuara. Trençevska tha se me masat populiste, si rritja lineare e pensioneve, do të vihet në pikëpyetje stabiliteti i sistemit të pensioneve.

“Nuk është e drejtë kushtetuese dhe as njerëzore që dikush që ka punuar 10-15 vite dhe ka kontribuar në fondin Pensional për ato vite të merr njësoj pension sikur ata që kanë punuar nga 30-40 vite dhe kanë paguar kontributet për ato vite. Pensioni është kategori ekonomike dhe jo ndihmë sociale e as solidare për të dhënë rritje lineare. Punojmë në sistemin që dy herë në vit të ketë harmonizim të pensioneve, kjo nënkupton rritje të pensioneve,”deklaroi Jovana Trençevska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndërkohë edhe LSDM në një vijë me ministren e Trençevska. Thotë se përmes masave efikase, vazhdimisht po punohet në përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve, veçanërisht të pensionistëve.

“Nëse në vitin 2016 pensioni mesatar ishte 13.754 denarë, ndërsa sot është 19.106 denarë në vitin 2023, që është 40% rritje gjatë mandatit të qeverive të udhëhequra nga LSDM. Për rritjen e vazhdueshme dhe në kohë të pensioneve, së bashku me pensionistët kemi miratuar një metodologji të re me të cilën pensionet rriten çdo gjashtë muaj. Me metodologjinë e re, pensionet vetëm për 18 muaj nga janari 2022 deri në shtator 2023 do të rriten për 26%, ndërsa për të njëjtën periudhë pensionin minimal e kemi rritur nga 9 mijë në 12 mijë e 500 denarë” – LSDM.

Nga partia në pushtet thonë se protesta është e drejtë qytetare, por kjo e pensionistëve sipas tyre është e nxitur nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

“LSD përmes eksperimentimit të sistemit pensional, ndryshimit të mënyrës së përllogaritjes së pensioneve, me ndjekjen joreale të inflacionit dhe masat e këqija, e hoqi të drejtën për pension dinjitoz. E gjithë kjo që ndodh është dëshmi e gjendjes së keqe ekonomike”, NAUM STOILLKOVSKI, VMRO-DPMNE.

Pensionistët tani më një kohë të gjatë po protestojnë në të gjithë vendin me kërkesën e rritjes së pensioneve. Thonë se me të ardhurat që kanë nuk mund të sigurojnë as kushtet elementare. /alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button