Trendi “rozetë” dominon tapetin e kuq të “Golden Globes”

Trendi “rozetë” dominon tapetin e kuq të “Golden Globes”

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Golden Globes” që u mbajt për të 81-tin vit më radhë në Beverly Hilton të Los Angelesit bëri aktorët të shfaqeshin me veshjet më të bukura duke krijuar trendët e veshjeve solemne për sivjet.

Trendi që si duket vjen nga kukulla “Barbie” për të dominuar veshjet solemne të sivjetme është “rozetë”.

Në tapetin e kuq të “Golden Globes” u shfaq Jennifer Lopez, e njohur për veshjet më të mira në ngjarjet e ndarjeve të çmimeve.

Ajo këtë herë kishte zgjedhur një fustan ngjyra rozë të lehtë, mëngët e ngjitura me pelerinë shumë të gjatë te bërrylat dhe të mbushura me “rozeta”. Ky term (v.j. rozetë) përdoret për të përshkruar mënyrën me manipulim të materialit në formë të trëndafilit apo luleve.

Lopez mori në shtëpi trofeun si “e veshura më se bukuri në këtë mbrëmje”. Fustani pa bretela, që kishte një bisht dramatik prapa u punua posaçërisht për të nga “Nicole + Felicia Coture”.

Image

Jennifer Lopez

CNN e Vogue e cilësuan aktoren Margot Robbie si një ndër personalitet me veshjen më të bukur. Por ajo nuk hyri në rend me aktoret që krijuan trendin “rozeta”.

Aktorja që luajti në rolin e kukullës më të përfolur të të gjitha kohërave në filmin “Barbie”, kishte zgjedhur të vishet si personazhi me të cilin bëri bujë, ashtu siç bëri në pothuajse të gjithë tapetet e kuqe të ngjarjeve në të cilat mori pjesë në vitin që lamë pas.

Këtë herë u vesh me një fustan që në tërësi kishte sedefe ngjyrë rozë të ndezur. Këtë fustan Robie e shoqëroi me një lloj shalli me tyl e sedefe me po të njëjtën ngjyrë.

Me këtë dukje u lansua një version i kukullës “Barbie” me emrin “Superstar doll” nga brendi i lodrave “Mattel” në vitin 1977.

“Vetëm u zgjova nga gjumi dhe thash: ‘ndoshta kjo veshje do të ishte më e përshtatshmja për sonte’”, ka thënë Robbie në tapetin e kuq.

Image
Margot Robbie

Trendit “rozeta” e ndoqi artistja Selena Gomez e cila u shfaq me një fustan të shkurtë kuq nga mëndafshi i cili kishte tri rozeta të zeza në pjesën e përparme.

Image

Selena Gomez

Tjetra e famshme që kishte fustan në tërësi të kuq të mbështjellë me rozeta nga brendi Valentino, ishte Florence Pough.

Edhe një tjetër protagoniste e filmit “Barbie”, aktorja America Ferrera ishte veshur me një fustan me rozeta më ndryshe të punuara me perla nga brendi Dolce and Gabbana.

Image

America Ferrera

Trendin e “përqafoi” edhe aktorja Emma Stone e cila kishte zgjedhur një fustan me shkëlqim ngjyrë ari e të qëndisur me trëndafila nga brendi Louis Vuitton.

Image

Një tjetër dukje që u cilësua lart nga kritikët e që zakonisht cilësohet si e tillë nëpër tapete të kuqe, është edhe ajo e aktores së njohur Natalie Portman.

Image

Aktorja nëpër ngjarjet më të mëdha të showbizit zakonisht zgjedh të vishet me brendin “Dior”. Edhe këtë herë u vesh nga ky brend me një fustan me punim shumë të ndërlikuar të dorës me shumë gurë e sedefe me ngjyra rozë të ndezur, e gjelbër e mbyllët, e kaltër e hapur, ngjyrë vjollcë të hapur, e edhe një tjetër rozë të zbehur. Këto sedefe kishin formën e luleve të vogla të punuara mbi një fustan me formë shumë të thjeshtë të gjatë që varej në bretelat pjesës së kraharorit me gjithë pjesën e lartë të fustanit e cila ishte e shkrirë në mes më ngjyrë të bardhë në mënyrën që quhet “ombre”.

Pasi lulet janë pjesë e veshjes, edhe Portman hyn në listën e “rozetave”.

Në vargun e të veshurve më se bukuri janë edhe të famshmit si Celine Song e veshur me brendin “Loewe”, Greta Gerwig me “Fendi”, Ali Wong në “Dior”, Julianne Moore në “Bottega Veneta”, Timothee Chalamet në “Celine”, Taylor Swift në “Gucci”, Carey Mulligan në “Schiaparelli”, Lily Gladstone në “Valentino”, Danielle Brooks në “Moschino”.

Image

Taylor Swift

LEXO EDHE:

Back to top button