Trump me vendim të ri për studentët që vlen edhe për vendin, kujdes se çfarë postoni në rrjete sociale
Trump me vendim të ri për studentët që vlen edhe për vendin, kujdes se çfarë postoni në rrjete sociale

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të intervistave të reja për viza studentore, ndërsa po u kontrollohen rrjetet sociale të të gjithë aplikantëve të huaj që kërkojnë të studiojnë në Shtetet e Bashkuara. Kjo gjë vlen edhe aplikuesit nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqiperia që dëshirojnë të studiojnë në SHBA.
Sipas një kabllogrami të datës 27 maj 2025, të nënshkruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ambasadat dhe seksionet konsullore amerikane janë udhëzuar të mos caktojnë intervista të reja për aplikantët e vizave studentore (F, M dhe J) deri në njoftimin e mëtejshëm.
Ky vendim është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të rritur kontrollin ndaj studentëve ndërkombëtarë, veçanërisht në lidhje me aktivitetet e tyre në rrjetet sociale, shkruan politico.
Administrata ka përmendur nevojën për të parandaluar hyrjen e individëve që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare ose që janë të përfshirë në aktivitete antisemitike.
Megjithatë, mungesa e qartësisë mbi kriteret e kontrollit ka shkaktuar shqetësim në komunitetin akademik.
Disa zyrtarë të Departamentit të Shtetit kanë shprehur shqetësime se udhëzimet e mëparshme kanë qenë të paqarta, duke ngritur pyetje mbi atë se çfarë lloj aktivitetesh në rrjetet sociale mund të çojnë në refuzimin e vizës.
Ky zhvillim ka shkaktuar shqetësim në komunitetin akademik, pasi shumë universitete amerikane mbështeten në studentët ndërkombëtarë për të ardhura të konsiderueshme.
Pezullimi i intervistave për viza mund të ndikojë negativisht në regjistrimet për semestrin e ardhshëm dhe të sjellë pasoja financiare për institucionet e arsimit të lartë.