Trump paralajmëron tarifë 50% për mallrat nga Brazili
Trump paralajmëron tarifë 50% për mallrat nga Brazili

Presidenti Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e një tarife 50% për mallrat e prodhuara në Brazil, duke shtuar tensionet me këtë shtet të Amerikës Jugore.
Ky njoftim vjen përmes një letre të shpërndarë në rrjetet sociale, ku Trump akuzon Brazilin për “sulme” ndaj kompanive amerikane të teknologjisë si dhe për zhvillimin e një “gjuetie shtrigash” kundër ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili aktualisht përballet me akuza penale për përfshirje në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022.
Kjo përplasje vjen pas një debati të ashpër gjatë kësaj jave mes Trump dhe presidentit aktual të Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, lidhur me procesin gjyqësor ndaj Bolsonaros. Presidenti Lula ka reaguar duke deklaruar se “Brazili nuk do të pranojë ndërhyrje nga askush” dhe se “askush nuk është mbi ligjin”.
Në të njëjtën periudhë, Trump ka publikuar 22 letra të tjera drejtuar vendeve të ndryshme, përfshirë aleatë tregtarë si Japonia, Koreja e Jugut dhe Sri Lanka, ku lajmëron vendosjen e tarifave të reja që pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Këto masa përfaqësojnë një rikthim të politikave që ai kishte propozuar në prill, por që u pezulluan përkohësisht pas reagimeve negative nga tregjet financiare.
Në rastin e Brazilit, megjithatë, qasja e Trump ka qenë dukshëm më e ashpër, duke paralajmëruar një rritje të konsiderueshme të tarifës nga niveli 10% i propozuar më parë nga Shtëpia e Bardhë në një nivel të ri prej 50%, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve tregtare.