Trump pyeti ndihmësit për mundësinë e sulmit ndaj Iranit

Me vetëm dy muaj sa i kanë mbetur në detyrë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pyeti ndihmësit e lartë në lidhje me mundësitë për të goditur objektet bërthamore të Iranit, thonë raportet e mediave.

- Advertisment -

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale më 12 nëntor, Trump pyeti disa ndihmës të lartë, duke përfshirë zëvëndëspresidentin, Mike Pence, sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Mark Milley, “nëse ai kishte mundësi për të marrë masa kundër Iranit në javët e ardhshme “, raportoi The New York Times më 16 nëntor.

Zyrtarët e lartë “e dekurajuan presidentin të lëvizte përpara me një sulm ushtarak”, duke e paralajmëruar atë se lëvizja mund të ndezte një konflikt më të gjerë në javët e fundit të presidencës së tij, shkroi The Times.

Një zyrtar amerikan konfirmoi raportin për Reuters më 17 nëntor.

“Ai kërkoi mundësi. Ata i paraqitën atij skenarët dhe ai në fund të fundit vendosi të mos lëvizte përpara”, tha zyrtari. Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë raportet.
Trump thuhet se e bëri pyetjen pasi një raport nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se Irani po vazhdonte të zhvillonte uranium të pasuruar.

Objektivi më i mundshëm i një sulmi do të kishte qenë Natanz, ku IAEA raportoi se “rezervat e uraniumit të Teheranit tani ishin 12 herë më të larta” sesa lejohej sipas një marrëveshje historike të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore nga e cila Trump u tërhoq më 2018.
Trump, i cili ka refuzuar të pranojë humbjen dhe po sfidon rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, do të dorëzojë pushtetin te presidenti i zgjedhur demokrat, Joe Biden, më 20 janar.

Ekipi i tranzicionit i Bidenit nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje.

Administrata e Trump ka refuzuar të fillojë tranzicionin, duke ndaluar ekipin e Biden nga qasja në informacionet e inteligjencës dhe sigurisë kombëtare./REL/

LEXO EDHE:

Back to top button