Trump thotë se një ‘grup shumë i pasur’ ka rënë dakord të blejë TikTok-un në SHBA
Trump thotë se një ‘grup shumë i pasur’ ka rënë dakord të blejë TikTok-un në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se qeveria amerikane ka gjetur një blerës për TikTok që do ta zbulojë “brenda rreth dy javësh”.
Ai tha nw Fox News se “është një grup njerëzish shumë të pasur”, duke shtuar: “Mendoj se ndoshta do të më duhet miratimi i Kinës, mendoj se presidenti Xi ndoshta do ta bëjë këtë”.
TikTok u urdhërua vitin e kaluar të gjente një pronar të ri për operacionin e tij në SHBA – ose të përballej me një ndalim – pasi politikanët thanë se kishin frikë se të dhënat e ndjeshme rreth amerikanëve mund t’i kaloheshin qeverisë kineze.
Pronari i aplikacionit të videove, Bytedance, i ka mohuar vazhdimisht pretendime të tilla, transmeton Telegrafi.
Fillimisht kishte një afat deri më 19 janar për të gjetur një blerës – dhe shumë përdorues u tronditën kur “u errësua” për disa orë kur erdhi ajo datë, përpara se të rivendosej më vonë.
Megjithatë, Trump tani e ka zgjatur afatin disa herë. Zgjatja e fundit ishte më 19 qershor, kur presidenti nënshkroi një urdhër tjetër ekzekutiv duke e shtyrë atë deri më 17 shtator.
Komentet e fundit të Trump sugjerojnë se shumë njerëz po bashkohen për të marrë kontrollin e aplikacionit në SHBA. Ndër ata që përflitet si blerës potencialë përfshihen superylli i YouTube-it, Mr Beast, startup-i amerikan i motorëve të kërkimit, Perplexity AI, dhe Kevin O’Leary – një investitor nga Shark Tank (versioni amerikan i Dragons’ Den).
Bytedance tha në prill se ende po bisedonte me qeverinë amerikane, por kishte “dallime për shumë çështje kyçe”. Besohet se qeveria kineze do të duhet të miratojë çdo marrëveshje.
Intervista e Trump me Fox News preku gjithashtu fundin e afërt të pauzës së tarifave amerikane për mallrat e importuara.
Më 9 prill, ai dha një afat 90-ditor për vendet e kërcënuara me një tarifë prej më shumë se 10% në mënyrë që t’u jepte atyre kohë për të negociuar.
Marrëveshjet janë arritur tashmë me disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Presidenti tha se nuk mendonte se do të kishte nevojë të shtynte afatin e 9 korrikut, dhe se letrat do të dërgoheshin menjëherë duke deklaruar se me çfarë tarife do të përballej secili vend.
“Do të shqyrtojmë deficitin që kemi – ose çfarëdo që të jetë me vendin; do të shqyrtojmë se si na trajton vendi – a janë të mirë, a jo aq të mirë. Disa vende, nuk na intereson – thjesht do të dërgojmë një numër të madh”, tha ai.
“Por do të dërgojmë letra shumë shpejt. Nuk kemi pse të takohemi, i kemi të gjitha shifrat”, shtoi Trump.
Presidenti njoftoi tarifat në prill, duke argumentuar se ato po korrigjonin një marrëdhënie të padrejtë tregtare dhe do të kthenin prosperitetin e humbur në industritë amerikane, siç është prodhimi i makinave.