Trumpi ndalon udhëtimin në SHBA për qytetarët e 12 shteteve
Trumpi ndalon udhëtimin në SHBA për qytetarët e 12 shteteve

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar të mërkurën një ndalim udhëtimi në SHBA për qytetarët e 12 vendeve, në një përpjekje për të “mbrojtur amerikanët nga aktorët e huaj të rrezikshëm”.
Shtetet, qytetarëve të të cilave u është ndaluar udhëtimi janë: Afganistani, Birmania, Chadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni.
Janë edhe shtatë vende të tjera, shtetasit e të cilave përballen me kufizime të pjesshme udhëtimi: Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela, raporton BBC.
Ka disa përjashtime, duke përfshirë atletët që udhëtojnë për ngjarje të mëdha sportive, disa shtetas afganë dhe shtetas me shtetësi të dyfishtë në vendet e paprekura.
Vendimi i bën jehonë një urdhri nga mandati i parë i Trumpit në vitin 2017, kur ai njoftoi një ndalim udhëtimi nga shtatë vende me shumicë myslimane për të hyrë në SHBA.
Ndalimi i udhëtimit, i cili hyn në fuqi më 9 qershor, përmbush një premtim që Trumpi kishte bërë gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2024 dhe ka të ngjarë të nxitë sfida të shpejta ligjore.