Alsat me detaje për tunelin në burgun e Idrizovës

Alsat me detaje për tunelin në burgun e Idrizovës

Gazetar: Adrian Kerimi

Tuneli përmes të cilit planifikohej arratisja e të paktën 8 personave nga burgu i Idrizovës në Shkup është gërryer me muaj të tërë. Për hollësitë tjera pritet fjala e Prokurorisë Publike. Por çfarë kanë ditur organet e rendit për një tunel të tillë dhe çfarë është ndërmarrë paralelisht?

“Pse u shkarkua drejtori i burgut të sigurisë së lartë në Idrizovë, Shpend Tairi? Sepse e zbuloi tunelin, apo sepse iu zbulua tuneli! Prej sa kohësh punohej në zbulimin e tunelit dhe pse Qeveria vendosi ta shkarkon Tairin në ditën kur parimisht e zbuloi tunelin? E bëri këtë për t’ia faturuar fajin Tairit, apo për ta mbuluar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi gjendjen faktike në burgjet e vendit”, raporton Adrian Kerimi, gazetar.

Nga ajo që ka mësuar Alsat, denoncimi për ekzistimin e një tuneli brenda oborrit të burgut është bërë më 17 shkurt. Për shkak se në zonën ku dyshohej pikënisja e tunelit kishte ndërtesa të vjetra të cilat ishin në plan të rrëzoheshin, drejtori i burgut, Shpend Tairi hap tenderë për rrëzimin e tyre. Paraprakisht mësohet se Tairi ka qenë në kontakt me Drejtorinë e Zbatimit të Sanksioneve, policinë dhe shërbimet inteligjente për vërtetuar në rrugë operative lokacionin e tunelit. Prokurimi i tenderit ka zgjatur nga 1 marsi deri më 16 mars 2023. Më 17 mars kontraktohet kompania që do të kryente punimet, ndërsa më 21 mars falë punimeve është konstatuar ekzistimi i një tuneli për arratisje.

Zbulimi i tunelit në burgun e Idrizovës

17.02.2023- Merret denoncimi për një tunel të mundshëm

01.03.2023-16.03.2023- Hapet tenderi për rrëzimin e objekteve të vjetra

17.03.2023- Kontraktohet kompania përkatëse

21.03.2023- Konstatohet ekzistimi i tunelit brenda oborrit të burgut

Alsat ka siguruar dy fotografi nga objektet e vjetra të cilët janë rrënuar. Në njërën nga hapësirat vërehet dysheme me beton të ri, vend ku edhe janë krijuar indicet për fillimi e tunelit. Falë gërmimeve është konstatuar se ekziston tunel, i gjatë 47 metra, në thellësi prej 1 metrave dhe diametër 80 centimetra i veshur me tulla qeramike, ndërsa përgjatë tunelit është gjetur një kabllo elektrik. Për koincidencë ose jo një kabllo vazhdues është gjetur në hapësirën ku ndodhet fillimi i tunelit. Drejtori i burgut, Tairi ka mbikëqyrur punimet deri në përfundimin e orarit të punës edhe në ditën kur Qeveria vendosi ta shkarkojë nga pozita. Subjekti politik të cilit i takon sot ka reaguar ndaj qëndrimit të kryeministrit Dimitar Kovaçavski. Alternativa vlerëson se drejtori i Burgut të Idrizovës, Shpend Tairi sipas tyre është krye heroi i zbulimit të ikjes nga burgu i Idrizovës. Pas publikimit të informacioneve se në Idrizovë është planifikuar një arratisje e tillë, në opinion u pretendua se një veprim i tillë është ndërmarrë nga të burgosurit për rastin Lagja e Trimave.

“Pavarësisht pretendimeve në opinion se të dënuarit në rastin Lagja e Trimave mund të jenë personat të cilët kanë punuar në gërmimin e tunelit brenda burgut të Idrizovës, kjo gjë nuk është e vërtetë. Sepse personat e dënuar për këtë rast, nuk kanë qasje në zonën ku është zbuluar tuneli”, raporton Adrian Kerimi, Gazetar.

Sipas policisë, personat të cilët dyshohet se kanë punuar në gërryerjen e tunelit brenda oborrit të burgut janë të dënuar për vepra të rënda kriminale nga 10 vite deri në burg të përjetshëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button