Tupançevski kërkon përgjegjësi për zvarritjen e proceseve gjyqësore

Tupançevski kërkon përgjegjësi për zvarritjen e proceseve gjyqësore

Gazetar: Adrian Kerimi

Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski vlerëson se duhet t’i jepet fund epokës së ruajtjes së lëndëve gjyqësore në sirtarë që vendi të futet në radiusin e vendeve me drejtësi Evropiane. Kjo sipas tij duhet të fillon me përgjegjësinë ndaj atyre që lënë lëndët e pazgjidhura edhe pse si udhëheqës i resorit të Drejtësisë, nuk ofron zgjidhje për rritjen e numrit të gjykatësve dhe mënjanimin e vërejtjeve të theksuara në Raportin e Komisionit Evropian.

“Romakët e vjetër kanë thënë se forma është në përmbajtjen. Lëndët janë të lidhura me afate dhe ato afate duhet respektuar. Derisa vërtetohet përgjegjësi subjektive se lëndët vjetërsohen ose nuk procedohen, ka mënyra dhe forma të ndryshme të përgjegjësisë. Duhet edhe praktikisht t’i japim fund erës se lëndët mbeten në sirtarë. Mendoj se periudha që pason është shpresëdhënëse dhe do të arrijmë deri tek qëllimi për gjyqësor efikas dhe efektiv që të themi se kemi drejtësi Evropiane”, deklaroi Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Pavarësisht sasisë së 100 mijë lëndëve të ngecura në procedurë dhe vlerësimit për gjykata të mbingarkuara në Shkup dhe mungesë efikasiteti të gjykatave nëpër qytetet tjera, Tupançevski thotë se vendi po lëvizë në trajektoren e duhur.

“Gjendemi në trajektoren e vërtetë. Lëvizim në drejtimin e domosdoshëm, jo vetëm për të folur për mesataren por edhe për përmirësimin e asaj që deri sot është vlerësuar negativisht”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Raporti i Komisionit Evropian nxori në pah edhe masën e pasuksesshme të kryetares së Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska e cila vendosi koordinator në të gjitha gjykatat e vendit për të monitoruar punën e gjykatësve dhe rrjedhën e lëndëve gjyqësore. Raporti i KE-së rekomandon që vendi deri vitin e ardhshëm duhet të përfundojë zbatimin e strategjisë së reformës në drejtësi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button