Turizëm në hapësirë, Bieber dhe Di Caprio kanë rezervuar nga një shëtitje

Virgin Galactic do të kryejë një fluturim testues të një avioni turistik që do të lancohet nga një raketë.
Ky do të jetë fluturimi i parë me ekuipazh i mjetit të tij shumëpërdorimësh Unity, që niset nga spaceporti i ndërtuar me qëllime komerciale në Nju Meksiko, në SHBA. Kompania e sir Richard Branson-it do të fillojë fluturimet turistike hapësinore në vitin 2021.
Më shumë se 600 klientë kanë bërë pagesat tashmë, përfshirë këtu Justin Bieber-in dhe Leonardo di Caprio-n duke prenotuar shëtitjen me avion. Fluturimi i të shtunës do të jetë i pari nga tre fluturime demonstruese përfundimtare, para se shërbimi komercial të fillojë. Në fluturimin e tretë, Sir Richard Branson vetë, do të ngjitet në bord për të testuar atë që ai ka 16 vite që e premton.
Para se kjo të ndodhë, Virgin Galactic duhet të kalojë disa hapa përgatitorë. Misioni i të shtunës do të ketë vetëm dy pilotë në bord, ish-astronautin e NASA-s, CJ Sturckow dhe kryepilotin testues, Dave Mackay. Një aksident fatal në vitin 2014 çoi në një hetim dhe në ridizajnimin e elementëve të sistemit.