Turqi, mbërrin vaksina kineze Sinovac

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan theksoi se teksa edhe vendet më të zhvilluara përballen me mungesa, Turqia po merr me shpejtësi vaksinat kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe po përparon me fushatën e vaksinimit publik.

Presidenti Erdoğan theksoi se Turqia ka arritur të tejkalojë me probleme minimale një periudhë në të cilën edhe vendet më të përparuara u përballën me skena tronditëse.

Duke folur në një ceremoni në Ankara ku të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara u punësuan në sektorin publik, Erdoğan theksoi se Turqia ka mbushur deri në 82% kuotën e saj të punësimit të personave me aftësi të kufizuar në sektorin publik.

“Nga vetëm 5 777 nëpunës civilë me aftësi të kufizuara në vitin 2002, kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) erdhi në pushtet, ne rritëm numrin e nëpunësve civilë me aftësi të kufizuara në 58 319”, theksoi ai.

Ndryshe, dje në Turqi arritën 6,5 milionë doza të vaksinës kineze Sinovac në dërgesën e dytë prej gjithsej 10 milionë dozave.

Fushata e vaksinimeve masive filloi në Turqi më 14 janar, pasi dërgesa e parë mbërriti më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Për të rritur besimin e popullit ndaj vaksinimit, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, si dhe presidenti Erdoğan ishin ndër të parët që u vaksinuan.

Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, qeveria turke vitin e kaluar filloi me zbatimin e orës policore gjatë mbrëmjeve në ditët e punës brenda javës, si dhe orë policore gjatë gjithë fundjavës.

LEXO EDHE:

Back to top button