Turqia dhe Izraeli rivendosin marrëdhëniet e plota diplomatike

Turqia dhe Izraeli rivendosin marrëdhëniet e plota diplomatike

Turqia dhe Izraeli kanë rivendosur lidhjet e plota diplomatike. Të dyja vendet do të riemërojnë ambasadorët e njëri-tjetrit, tha sot ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

“Emërimi i një ambasadori është një nga hapat për normalizimin e marrëdhënieve. Një hap i tillë pozitiv erdhi nga Izraeli si rezultat i këtyre përpjekjeve dhe ne, si Turqi, kemi vendosur gjithashtu të emërojmë një ambasador në Izrael, në Tel Aviv”, ka pohuar Cavusoglu, raporton aa.

Duke folur në një konferencë shtypi në Ankara, ai shtoi se Turqia po fillon një proces për të vendosur se kush do të emërohet në këtë post.

Të dyja vendet dëbuan ambasadorët në vitin 2018 pasi forcat izraelite vranë 60 palestinezë gjatë protestave në kufirin e Gazës kundër hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem.

Vizita e presidentit izraelit, Isaac Herzog në Turqi në muajin mars, e ndjekur nga vizitat e të dy ministrave të jashtëm, ndihmuan në shkrirjen e marrëdhënieve pas më shumë se një dekade tensionesh.

Vendimi vjen pasi Izraeli kërkon të përmirësojë lidhjet me fuqitë rajonale dhe u ra dakord dy vjet pas të ashtuquajturës Marrëveshje të Abrahamit, e cila normalizoi marrëdhëniet midis Izraelit, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Marokut.

LEXO EDHE:

Back to top button