Turqia konfirmon rastet e para me variantin “Mu” të koronavirusit

Varianti Mu i COVID-19 është zbuluar në të paktën dy persona në Turqi, bëri të ditur sot ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca, raporton Anadolu .

I identifikuar për herë të parë në Kolumbi këtë janar, lloji Mu është gjetur në 39 vende deri më tani dhe kohët e fundit u klasifikua si një “variant interesi” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas OBSH-së, varianti përbën më pak se 0,1 për qind të infeksioneve në të gjithë botën, por prevalenca e tij në Kolumbi dhe Ekuador është në rritje dhe ka qenë përkatësisht në 39 për qind dhe 13 për qind, deri në fund të gushtit.

Duke folur me gazetarët, ministri i Shëndetësisë Koca tha se Turqia po monitoron situatën dhe asnjë masë e re nuk merret parasysh për momentin.

Ai tha se llojet Delta dhe Delta plus aktualisht përbëjnë mbi 90 për qind të rasteve në Turqi, por shifra pritet të bjerë gradualisht pasi më shumë njerëz vaksinohen.

“Është thelbësore që ne të vazhdojmë të respektojmë maskën, distancimin social dhe rregullat e higjienës derisa të arrihet imuniteti i tufës”, theksoi ai.

Koca tha se qeveria nuk ka në plan të mbyllë përsëri shkollat, të cilat u hapën pas më shumë se një viti të hënën, ku rreth 18 milionë nxënës u kthyen për arsimim fizik.

Për vaksinën vendase Turkovac, ministri tha se prodhimi masiv duhet të fillojë në afërsisht dy muaj.

Koca tha se Turqia do të vazhdojë të kryejnë teste PCR falas për njerëzit e pavaksinuar, të cilëve tani u kërkohet të paraqesin rezultat negativ për udhëtimet e brendshme.

Nën masat e reja që hynë në fuqi të hënën, njerëzit që nuk janë plotësisht të vaksinuar ose nuk janë shëruar kohët e fundit nga COVID-19 duhet të paraqesin një test negativ të PCR-së për udhëtimet me avion, autobus dhe tren.

Turqia ka raportuar më shumë se 6 milionë raste me virus dhe rreth 53.000 vdekje deri më sot.

Sipas të dhënave të fundit, mbi 80 për qind e popullsisë së rritur ka marrë të paktën një dozë të një vaksine me dy doza, ndërsa më shumë se 38,8 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht.

LEXO EDHE:

Back to top button