Turqia nuk do të lejojë kalimin e emigrantëve afganë

Emigrantët afganë që bëjnë udhëtimin njëjavor përmes Iranit në këmbë deri në kufirin turk përballen me gropat e thella katër metra, muret tre metra të montuar me tela me gjemba dhe një patrullë ushtarake që synon të parandalojë ata që përpiqen të kalojnë.

Turqia, që aktualisht strehon mbi 4.5 milionë refugjatë, nisi përforcimin e masave të sigurisë përgjatë kufirit të saj në javët e fundit, teksa talebanët nisën avancimin në Afganistan dhe më 15 gusht morën nën kontroll kryeqytetin, duke ngritur shqetësimin për një valë të re emigrantësh.

Forcat e sigurisë kontrollojnë çdo lëvizje në anën iraniane dhe patrullat janë në lëvizje gjatë gjithë kohës përgjatë asaj pjese të kufirit ku emigrantët, trafikantët dhe militantët kurdë zakonisht përpiqen të kalojnë për në Turqi.

Në rast se dikush kapet, ai dërgohet në anën iraniane të kufirit dhe i kërkohet të largohet. Por ndërsa largohen, emigrantët thonë se do ta provojnë sërish.

Nga rajoni kufitar deri në qendër të qytetit lindor të Vanit, rrugët janë të mbushura me patrulla.

“Trupat tona do të ruajnë sigurinë. Ne jemi urdhëruar nga ministri dhe presidenti që të mbrojmë vendin tonë nga vala e emigracionit dhe të mos lejojmë askënd të kalojë kufirin. Kjo është detyra jonë”, thotë Mehmet Emin Bilmez, guvernator i qytetit të Vanit në Turqi.

Pak ditë më parë edhe Greqia njoftoi përfundimin e një muri kundër emigrantëve në kufi me Turqinë, për të shmangur përsëritjen e krizës së vitit 2015.

LEXO EDHE:

Back to top button