Tymi që po del nga hekurishtja e djegur në Vizbeg, edhe sot po helmon banorët e Shkupit
Tymi që po del nga hekurishtja e djegur në Vizbeg, edhe sot po helmon banorët e Shkupit

Gazetar: Avni Tahiri
Ajo që mbeti pas zjarrit në këtë hekurishte ishte stresi dhe rreziku që iu kanos banorëve përreth dhe shtëpive të banuara, zjarrfikës të lënduar, ajri i ndotur nga djegiet e pjesëve të veturave përfshirë, akumulator, goma, dhe shumë sende tjera të dëmshme për shëndetin e njeriut. Tymi në këtë hekurishte vazhdonte që edhe sot të ndot ajrin e Shkupit.
“Një ditë pas katastrofës ekologjike, në deponinë e mbeturinave apo të veturave të vjetra të cilat dje u dogjën ndërmjet Vizbegut dhe Komunës së Shuto Orizarit, sic mund të shihet në prapavijë, zjarri vazhdon akoma të jetë aktiv ndërsa ekipet e zjarrfikësve vazhdojnë të jenë në terren për të shuar tërësisht këtë zjarr”, raporton Avni Tahiri – Gazetar.
Përveç zjarrfikësve të Brigadës së Qytetit të Shkupit, në shuarjen e zjarrit në territorin e Shkupit, u angazhuar edhe zjarrfikësit vullnetar të shoqatës vullnetare të Çairit. Si pasojë e zjarrit morën lëndime dhe kërkuan ndihmë mjekësorë kryetari i kësaj shoqate, Artan Demiri së bashku me tre koleg të tij vullnetar.
“Dje kishim një ditë shumë të vështirë, unë u lëndova dhe tre kolegë tjerë kërkuam ndihmë mjekësorë. Dje ishte kapaku siç thotë populli, që nga mëngjesi filluam në Vizbeg, ndërmjet Shuto Orizarës, ku zjarri ishte i përmasave të mëdha, e nga ora 14:30-15:00, shkuam në Stenkovec, përballë pompës së benzinës kishte një zjarr më të madh kishte zjarr në fushë por kishte edhe shtëpi banimi dhe deri në ora 3:00 e mëngjesit ishim atje prezent”, tha Artan Demiri – Kryetar i SHVZ “Bajram Miftari”, Çair.
Sipas Demirit, resurset me të cilët funksionojnë si shoqatë nuk janë të mjaftueshme edhe pse janë aktiv rreth 280 anëtarë. Ai thotë se nëse do kishin më shumë resurse do të mund të angazhonin edhe më shumë vullnetarë në këtë kohë të vështirë zjarresh në vend.
“Edhe pse ne jemi një shoqatë vullnetare zjarrfikësish “Bajram Miftari” nga Çairi, kishim shumë anëtarë më herët afër 280 dhe janë ende janë. Ne i kemi ato resurse që i disponojmë por asnjëherë nuk është mjaftë, çdoherë mungon diçka, mungojnë sepse në çdo përvojë, çdo zjarr, demolohen uniformat, mjetet e punës, lopata, kamioni, të gjithë ato demolohen”, nënvizoi Artan Demiri – Kryetar i SHVZ “Bajram Miftari”, Çair.
Për zjarrin në hekurishten ndërmjet Vizbegut dhe Shuto Orizarit, nga prokuroria thonë se po hetojnë në zbardhjen e shkaqeve të zjarrit. Zjarre aktive kemi edhe sot në territorin e vendit. /Alsat.mk