U la në burg nga Gjykata e Lartë, Ilir Meta ankimon në Kushtetuese vendimin
U la në burg nga Gjykata e Lartë, Ilir Meta ankimon në Kushtetuese vendimin

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, ka depozituar një ankim në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Meta argumenton se vendimet e tri shkallëve të gjyqësorit – Gjykata e Lartë, Apeli dhe Shkalla e Parë – janë antikushtetuese dhe në shkelje të të drejtave themelore. Ai pretendon se i janë cenuar rëndë liritë personale, neni për gjykim të drejtë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe parimet e procesit të rregullt ligjor sipas Kushtetutës dhe Kodit Penal shqiptar.
Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë nëse do të marrë në dorë çështjen për ta trajtuar si shkelje të të drejtave kushtetuese. Ndërkohë, Meta mbetet në qelitë e paraburgimit në pritje të vendimeve të mëtejshme gjyqësore.