Uajt: Do të ketë revansh, pasi që të mund Fjurin

Boksieri britanik Dillian Uajt ka provokuar bashkëkombasin e tij, Tajson Fjuri, dy ditë para sfidës që ata do të zhvillojnë në stadiumin “Uembli” të Londrës. Uajt tha se Fjuri do të rikthehet të duelojë me të, pasi ta mposhtë kampionin e botës në përballjen e 23 prillit. Kjo sfidë është e vlefshme për titullin kampion bote në peshën e rëndë, kategoria WBC.

Uajt që numëron 28 fitore e 2 humbje, është i bindur se do ta fitojë këtë sfidë ndaj Fjurit dhe do ta detyrojë atë të rikthehet në ring. Në anën tjetër Fjuri tha se do të tërhiqet pas kësaj sfide, i pamposhtur me 31 fitore dhe 1 barazim në karrierë.
“Unë ju garantoj se do të ketë revansh pas kësaj sfide. Do ta mposht Fjurin dhe do ta detyroj të rikthehet në ring për revanshin. Tajsoni është boksier shumë i mirë, bashkë jemi stërvitur disa herë, por nuk është ai kampion që thoni të gjithë ju”, u shpreh Dilian Uajt.
“Unë e respektoj Fjurin për atë që ka bërë dhe arritur në karrierën e tij. Ata kanë shitur 94 mijë bileta për duelin tonë, por unë nuk jam një rival i zakonshëm. Jam i mandatuar për të sfiduar Fjuri dhe për ta mundur. Nuk jam kampion bote, por do të bëhem pas kësaj sfide”, tha Uajt.