UEFA ndan 150 mijë euro, Shkëndija përfiton më shumë nga klubet në Maqedoni

Më shumë se 900 ekipe nga 55 shtete kanë përfituar një shumë rekord prej 233 milionë eurosh nga Shtëpia Evropiane e Futbollit (UEFA), por klubet nga Maqedonia e Veriut do të ndajnë një shumë modeste prej vetëm 150.000 euro nga i gjithë “kulaçi” i shpërndarë nga UEFA, njofoton Telegrafi.
Sipas listës së publikuar nga UEFA, Shkëndija është klubi që do të përfitojë më së shumti nga ekipet tona, me një shumë prej 65.862 eurosh, duke treguar kështu edhe rolin aktiv të futbollistëve të saj në përfaqësueset.
Pas saj renditet Rabotniçki me 25.613 euro, Brera me 21.954 euro, ndërsa në vendin e katërt është Vardari me 14.634 euro. Ekipet që vijojnë më pas janë Shkupin, Sileksi dhe Makedonija Gj.P, secili me nga 7.318 euro.
Shuma rekord u shpërnda për klubet që liruan futbollistët e tyre për të luajtur me ekipet kombëtare në garat nën ombrellën e UEFA-s.
Sipas mekanizmit, 100 milionë euro ishin të rezervuara për klubet që liruan lojtarë në periudhën 2020/21 dhe 2022/23 për Ligën e Kombeve dhe për kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Pjesa tjetër e shumës ishte e rezervuar për ekipet që liruan lojtarë për fazën finale të Euro 2024, duke çuar totalin në 233 milionë euro, një shumë rekord, siç njoftoi UEFA.