UEFA zbulon gjasat e Kosovës që të kalojë në Ligën “B” në Ligën e Kombeve
UEFA i ka zbuluar shanset e Kosovës për të kaluar në Ligën “B” të Ligës së Kombëve në edicionin 2026/27. Sipas shtëpisë së futbollit evropian, me një fitore eventuale ndaj Rumanisë në udhëtim, Kosova do t’i mbajë gjallë shpresat për t’u promovuar direkt në Ligën B, duke shpresuar që rumunët do të dështojnë në xhiron e fundit.
Por, një fitore eventuale me më shumë se tre gola epërsi do ta shpinte Kosovën në vendin e parë dhe me shumë gjasa që të përfundojë si lidere e grupit. Pra, vendi i parë promovohet direkt në Ligën B, kurse vendi i dytë luan në “Play-Off”. Më reale, Kosova i ka gjasat për të përfunduar si e dyta.
Kjo nënkupton se “verdhekaltrit” do të luajnë me të tretin në tabelë nga Liga B në dy ndeshje me sistem vajtje-ardhje në ndeshjen e konsideruar si promovim/rënie e “Play-Off”-it. Skuadra që del më mirë nga këto dy përballje do të kalojë në Ligën B në edicionin 2026/27, kurse humbësja do të luajë në Ligën C në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Gjithçka do të qartësohet pasi Kosova t’i ketë zhvilluar dy ndeshjet e nëntorit, me Rumaninë në udhëtim dhe me Lituaninë në shtëpi.