Ukraina i kundërpërgjigjet Rusisë me ushtrime me ShBA-në

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë ushtrime të përbashkëta ushtarake javën e ardhshme, tha të enjten Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, vetëm disa ditë pas ushtrimeve të trupave ruse e bjelloruse.

Ushtrimet “Zapad-2021” në pjesët perëndimore të Bjellorusisë dhe Rusisë, përfshirë disa vende afër kufijve të Bashkimit Evropian, i alarmuan disa vende të NATO-s dhe Ukrainën. Këto ishin ndër ushtrimet më masive me rreth 200 mijë trupa.

Autoritetet ukrainase thanë se ushtrimet “Rapid Trident – 2021” do të përfshijnë 6.000 trupa nga 15 shtete, kryesisht nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera anëtare në NATO, dhe do të zgjasin deri më 1 tetor, shkruan Reuters.

“Qëllimi kryesor është që të bëhen përgatitje për veprime të përbashkëta si pjesë e forcës shumëkombëshe gjatë operacioneve të koalicionit”, thuhet në deklaratën e forcave ukrainase.

Ukraina i sheh ushtrimet ushtarake me partnerët perëndimore si hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, duke besuar se futja në këtë organizatë do ta fuqizonte rezistencën e vendit kundër agresionit rus.

Pos raporteve të tensionuara me Rusinë, Ukraina kohëve të fundit i ka përkeqësuar marrëdhëniet edhe me Bjellorusinë, pasi Kievi vitin e kaluar tha se zgjedhjet presidenciale bjelloruse nuk ishin as të lira, as të drejta dhe e dënoi dhunën kundër protestuesve në shtetin e udhëhequr nga presidenti autoritar, Aleksander Lukashenko.

LEXO EDHE:

Back to top button