Ukraina ka nisur kundërofensivë ndaj Rusisë? Zelensky falenderon ushtarët
Ukraina ka nisur kundërofensivë ndaj Rusisë? Zelensky falenderon ushtarët
Pas disa raportimeve e deklaratave të presidentit Putin se Ukraina ka filluar kundërofensivën, ka reaguar edhe presidenti Zelensky. Ai falënderoi ushtarët, por nuk konfirmoi kundërofensivën e trupave ukrainase.
Pak orë më parë ishte presidenti rus, Vladimir Putin që kishte pohuar, se kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës ka filluar, në një intervistë të publikuar në Telegram me një televizion shtetëror rus. Ka prej disa ditësh “luftime intensive”, ishte shprehur Putin dhe se ukrainasit në asnjë nga segmentet e frontit nuk i kanë arritur qëllimet e tyre. Të gjitha këto të dhëna nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Lidershipi në Kiev aktualisht shprehet i rezervuar.
Rezervuari i Zaporishjas në fokus
Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike, IAEA rezervuari që përdoret për ftohjen e centralit atomik, Zaporishja ndodhet në kushte jo të mira. Pas shpërthimit të digës në Dnjipro, vëmendja është fokusuar tek rezervuari. Sipas IAEA presioni mbi digën përreth rezervuarit rritet së brendshmi për shkak se ka rënë ndjeshëm niveli i jashtëm i ujërave në lum, u shpreh IAEA në Vjenë. Ky autoritet që ka stacionuar vëzhgues në zonën e centralit të pushtuar nga rusët, po e vëzhgon me kujdes gjendjen, është shprehur kreu i Agjencisë Rafael Grossi. Centrali atomik nuk është në rrezik akut, por shkatërrimi i digës së Kahovkas dhe rritja e aktiviteteve ushtarake po sjellin “vështirësi të reja të mëdha”, ka thënë Grossi./DW