Ukraina, në fokusin e samitit të sigurisë

Ukraina, në fokusin e samitit të sigurisë

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur në përfundim se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në luftën e paprovokuar kundër Ukr.ainës, me forcat e saj që kanë ndjekur një sulm të gjerë dhe sistematik kundër civilëve në vend. Kështu tha zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris gjatë fjalimit të saj në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Ne kemi shqyrtuar provat. Ne i dimë standardet ligjore. Dhe nuk ka dyshim se këto janë krime kundër njerëzimit. SHBA-ja ka përcaktuar zyrtarisht se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit. Unë po ju drejtohem të gjithëve atyre që kanë kryer këto krime dhe eprorëve të tyre se do të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Kamala Harris, Nënpresidente e SHBA-së.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba mbështeti deklaratën e Harrisit se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në vendin e tij. Ai shprehu madje besimin se Ukraina do të merrte përfundimisht avionë luftarakë nga partnerët, pavarësisht hezitimit të tyre aktual.

“Unë do të rrezikoj duke thënë se Ukraina do të marrë avionë. Është çështje kohe dhe procedure. Do të duhet më shumë kohë sesa tanket. Ne e kuptojmë atë. Por vetë lloji i logjikës, kuptimi bazë se si evoluon situata do të na çojë të gjithëve në vendimin për aeroplanët. Dhe unë jam i sigurt se Britania do të luajë një rol në të”, deklaroi Dmitry Kuleba, Ministër i Jashtëm i Ukrainës.

Kryeministri i Britanisë Rishi Sunak tha se tani ka ardhur koha që Perëndimi të dyfishojë mbështetjen për Ukrainën.

“Ne kemi nevojë për një strategji ushtarake që Ukraina të fitojë luftën dhe paqen. Tani është momenti për të dyfishuar mbështetjen tonë ushtarake dhe humanitare. Kur Putini filloi këtë luftë, ai tha se vendosmëria jonë do të lëkundet. Por ne ia dëshmuam se e kishte gabim atëherë, dhe do t’i dëshmojmë se e ka gabim tani”, tha Rishi Sunak, Kryeministër i Britanisë.

Pekini është gati të paraqesë propozimin e tij të paqes për Ukrainën, njoftoi kryediplomati kinez. Ai tha se integriteti territorial dhe sovraniteti i të gjitha vendeve do të respektohet në këtë propozim.

“Ne duhet të mendojmë se çfarë përpjekjesh mund të bëjmë për t’i dhënë fund kësaj lufte .Kjo luftë nuk mund të vazhdojë më”, deklaroi Wang Ji, Këshilltari kryesor I politikës së jashtme të presidentit kinez.

“Ne mendojmë se Kina mund të luajë një rol. Ne duam që Kina të luajë një rol, një rol që do të përsërisë parimin që është thelbësor si për Kinën ashtu edhe për Ukrainën. Integriteti territorial. Asnjë lëshim, asnjë kompromis nuk është i mundur në lidhje me integritetin territorial të Ukrainës”, tha Dmitry Kuleba, Ministër i Jashtëm i Ukrainës.

Shumë udhëheqës të BE-së në Mynih u treguan të kujdesshëm ndaj synimeve të Pekinit. Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris tha se SHBA-të ishin “të shqetësuara” nga mbështetja e vazhdueshme e Kinës për Rusinë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen tha se kemi nevojë për më shumë prova se Kina nuk po bashkëpunon me Rusinë. Kina ka refuzuar vazhdimisht të dënojë agresionin rus në Ukrainë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button