Ukraina pret mesazh të qartë nga NATO
Ukraina pret mesazh të qartë nga NATO

Gazetare: Fatlume Dervishi
Ukraina pret mesazh të qartë sa i takon anëtarësimit të saj në NATO, nga Samiti i NATO-s, në Vilnius të Lituanisë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, që para fillimit të Samitit, tha se është e paprecedentë që të mos vendoset afat as për ftesën dhe as për anëtarësimin.
“Duket sikur nuk ka gatishmëri as për të ftuar Ukrainën në NATO dhe as për ta bërë atë anëtare të Aleancës”, shkroi Zelenski në tëitter.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha më herët se do të propozojë që procedura e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, të thjeshtëzohet. Ai tha se do të kërkojë prej aleatëve që t’i mundësojnë asaj kapërcimin e të ashtuquajturit Plan i Veprimit për Anëtarësim, i cili përfshin reformat ekonomike dhe politike që një vend kandidat duhet t’i përmbushë, përpara anëtarësimit të plotë.
“”Luftërat zgjasin më shumë sesa ne presim, por përgjigja jonë e vetme është se ne duhet të qëndrojmë pranë Ukrainës për aq kohë sa duhet, dhe ne duhet të shtojmë dhe të mbajmë mbështetjen tonë për Ukrainën. Ky do të jetë mesazhi i qartë nga ky samiti, ky ka qenë mesazhi i aleatëve dhe partnerëve të NATO-s që nga fillimi i luftës. Po bëhet gjithçka për ta afruar Ukrainën më pranë anëtarësimit në NATO”, deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, tha se mbështet terminologjinë e përdorur nga sekretari i përgjithshëm, Stoltenberg, për të ardhmen e Ukrainës në aleancë.
“Ne pajtohemi me gjuhën me të cilën ju propozuat që në një të ardhme relative Ukraina të jetë në gjendje t’i bashkohet NATO-s”, tha Xho Bajden, President i SHBA-së.
Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa të tjerat, si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, shqetësohen se premtimi për anëtarësim automatik mund t’i japë Rusisë shkas për ta përshkallëzuar dhe zgjatur luftën.
Deri sa udhëheqësit e NATO-s po përgatiten t’i japin Kievit një “mesazh pozitiv” në lidhje me perspektivat e tij të ardhshme për t’u bashkuar me aleancën ushtarake, Rusia paralajmëroi “pasoja katastrofike” në Evropë nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet, ndërsa ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, theksoi se vendi i tij po merr masat e duhura për t’iu përgjigjur anëtarësimi të Suedisë dhe Ukrainës në NATO.
“Udhëheqësit evropianë duket se nuk e kuptojnë se zgjerimi i NATO-s është një gabim”, u shpreh Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit.
Liderët e vendeve anëtare të Aleancës janë mbledhur në një samit dyditor në Vilnius të Lituanisë. Ky Samit pritet të jetë i rëndësishëm edhe për të ardhmen e Suedisë, pasi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, më 10 korrik është pajtuar që të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO, gjë të cilën më herët e kishte kundërshtuar. Erdogan në këmbim kërkon avancim të anëtarësimit të Turqisë në BE. /Alsat.mk