Ulet numri i të helmuarve në Deçan, Vitia: Situata është në kontroll

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka thënë se është ulur fluksi i pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore në Deçan, me simptoma të helmimit. Pas një vizite që i ka bërë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, ai ka thënë se autoritetet janë në pritje të disa rezultateve shtesë, për të kuptuar se çfarë ka shkaktuar helmimin. Helmimi masiv në Deçan, gjatë fundjavës, ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë në Deçan, nga dita e shtunë kanë kërkuar ndihmë mbi 1,500 persona, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre janë gjetur koloni të dyshimta të baktereve. Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së testimet në laborator duhet të vazhdojnë dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

“Një pjesë e rezultateve ka dalë, një pjesë të rezultateve tjera po i presim, sepse për disa rezultate duhet kohë për mbjelljen e kulturave bakteriale, dhe një pjesë e mostrave tjera do të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike”, tha Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, Kosovë.

LEXO EDHE:

Back to top button