“Unë jam deputet bllokues”, shoqëria civile aksion para Kuvendit
“Unë jam deputet bllokues”, shoqëria civile aksion para Kuvendit

Pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë kanë protestuar në hyrje të Kuvendit teksa deputetët e zgjedhur u mblodhën për herë të 37-të dhe prapëseprapë dështuan ta bëjnë Kuvendin e ri, katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja. Derisa deputetët po hynin në ndërtesë, pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile u rreshtuan pranë hyrjes duke mbajtur në dorë pankarta me mbishkrime si, “Deri kur?”, “Boll!”, “Unë jam deputet/e bllokues/e”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “Loja juaj, pasojat tona” dhe “Deputetë veç në letër”, etj. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i kritikoi deputetët për mungesë përgjegjësie dhe e përshkroi bllokadën si “tragjikomike”.
“Kjo gjendje i ka tejkaluar kufijtë dhe është bërë boll, siç thonë edhe pankartat tona. Të vetmëve që nuk po u bëhet vonë, duket se janë deputetët, të cilët me një papërgjegjësi të plotë janë duke e trajtuar situatën e tanishme si diçka të zakonshme, ndonëse situata nuk është e tillë….Deputetët mblidhen vetëm për disa minuta punë dhe i marrin pagat. Prandaj, ne, si organizata të shoqërisë civile, besojmë se është koha e fundit që deputetët t’i thërrasin arsyes dhe të arrijnë marrëveshje politike për t’i dhënë fund krizës politike”, deklaroi Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës. /Alsat.mk