Uruguai deklasoi Bolivinë, SHBA befasohet nga Panama

Uruguai triumfoi edhe në ndeshjen e dytë të grupit në “Kopa Amerika 2024”, me skuadrën e Bielsa-s që triumfoi 5-0 ndaj Bolivisë në “MetLife Stadium”. Një takim i dominuar nga fillimi deri në fund nga uruguajanët, teksa e zhbllokuan shpejtë sfidën me Pellistrin në minutën e 8-të.

Darvin Nunjez dyfishoi në minutën e 21-të dhe kështu u mbyll pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë nisi përsëri me dominimin e skuadrës së Bielsa-s, ndërsa Bolivia u tregua totalisht e pafuqishme.

Arauho realizoi golin e tretë në minutën e 77-të, teksa katër minuta më pas Valverde shkundi sërish rrjetën e Viskarra-s. Llogaritë i mbylli Bentakur me golin e minutës së 89-të dhe Uruguai merr jo vetëm fitoren e dytë në Grupin C, por edhe siguron kualifikimin, teksa Bolivia i mbyll këtu llogaritë, pasi qëndron në fund me zero pikë.

Në takimin tjetër, Panamaja surprizon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me skuadrën e Kristiansenit që fitoi 2-1. Takimi nisi shumë shpejtë, me amerikanët që realizuan pas pesë minutash lojë, por goli i McKennie u anulua për pozicion të parregullt. Në minutën e 18-të, Veah la Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dhjetë lojtarë, por vetëm katër minuta më pas Balogun realizoi golin e avantazhit. Gjithsesi, Panamaja nuk u dorëzua dhe reagoi, duke shfrytëzuar superioritetin numerik dhe duke barazuar reazultatin në minutën e 26-të me Blakman.

Pjesa e dytë ishte maksimalisht e luftuar, teksa amerikanët u ndëshkuan shtatë minuta nga fundi, me Fajardo që përmbysi ndeshjen. Ndërkohë, në minutën e 88-të Karraskuilla u ndëshkua me kartonin e kuq duke barazuar numrin e lojtarëve në fushë, por rezultati nuk ndryshoi dhe tani Panamaja ngjitet në vendin e dytë me tri pikë, po aq sa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LEXO EDHE:

Back to top button