Usher tregon se një nga bashkëpunëtorët do t’i bashkëngjitet në “Super Bowl”
Usher tregon se një nga bashkëpunëtorët do t’i bashkëngjitet në “Super Bowl”

Këngëtari i njohur, Usher, i cili do të performojë në “Super Bowl” që mbahet në kohën e pauzës në mes të dy pjesëve të lojës së futbollit amerikan, ka thënë se njëri nga bashkëpunëtorët e këngëve të tij, do t’i bashkohet përgjatë perfromimit në skenë.
Në një intervistë me “Billboard”, 45-vjeçari ka bërë të ditur se një yll do t’i bashkëngjitet përgjatë performancës në “Super Bowl” që do të mbahet më 11 shkurt.
“Do të jetë një superngjarje, do të ketë mysafirë specialë, dhe kam menduar të interpretojë këngë të reja. Është një performancë 12 minutëshe, pra është e vështirë të vendoset për përzgjedhjen e këngëve, sidomos kur bëhet fjalë për këngë të re”, ka thënë këngëtari.
Ylli gjithashtu ka thënë se i ka admiruar performancat që yjet si Michael Jackson, Prince, Beyonce, U2 e Madonna, patën bërë në spektaklin “Super Bowl”.
“Kam dëgjuar se Rihanna më ka përkrahur kur është diskutuar se kush është i denjë të performojë në atë skenë. E vlerësoj shumë këtë. E kam shikuar çdo performancë që ka ndodhur aty, duke analizuar se si mund të bëj më të mirën për 12 minuta. Por momenti yt është momenti yt. Për këtë moment jam përgatitur përgjatë 30 vjetëve të karrierës time”, ka thënë Usher.
Ai gjithashtu po mendon se çdo performancë në “Super Bowl” duhet ta bëjë publikun të këndojë.
Në të kaluarën ai për këngët e tij ka bashkëpunuar me artistë të njohur në mbarë botën si Lil John, Beyonce, Ludacris, Justin Bieber e Alicia Keys.