Ushtria arreston presidentin, shpërehet qeveria në Guinea
Presidenti i Guinesë, Alpha Conde, të dielën u arrestua nga ushtarët e udhëhequr nga një kolonel i ushtrisë, të cilët njoftuan këtë hap në televizionin shtetërorë.
Duke iu drejtuar kombit në transmetuesin publik RTG, koloneli Mamadi Doumbouya tha se presidenti Alpha Conde është i sigurt dhe në paraburgim.
“Kemi marrë të gjitha masat për të siguruar që ai të ketë qasje në kujdesin shëndetësor dhe të jetë në kontakt me mjekët. Gjithçka do të jetë mirë”, theksohet në deklaratën që i atribuohet Doumbouya-s.
Duke u zotuar se do të rivendosë demokracinë në këtë shtet të Afrikës Perëndimore, Doumbouya tha se Komiteti Kombëtar për Tubim dhe Zhvillim, emrin që trupat i kishin vënë vetë, do të anulojë kushtetutën dhe shpërndajë qeverinë e vendit, ndërsa gjithashtu do të mbyllë kufijtë tokësorë dhe ajrorë për një javë.
I veshur me një flamur të Guinesë, koloneli u shoqërua nga një duzinë ushtarë të tjerë me uniformë, duke nënvizuar se “detyra e një ushtari është të shpëtojë vendin”.
Ai akuzoi Conde-n për personalizimin e politikës dhe se nuk po bënte sa duhet për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe sociale të njerëzve.
“Ne më nuk do t’ia besojmë politikën një njeriu. Do t’ia besojmë atë popullit”, tha ai, duke pretenduar se “po vepron në interesin më të mirë të kombit”.
Pamjet e ndalimit të Conde-s nga forcat speciale qarkulluan herët gjatë ditës në mediat sociale.
Conde, 83-vjeçar, u rizgjodh për një mandat të tretë në tetor të vitit 2020 në zgjedhjet e përfshira nga dhuna.
Ai për herë të parë erdhi në pushtet në vitin 2010 në votimin e parë që u cilësua si zgjedhjet e para demokratike që kur ish-kolonia franceze fitoi pavarësinë.
Paraburgimi i tij u raportua në mediat vendore brenda disa orësh pasi të shtëna me armë u dëgjuan në kryeqytetin Conakry rreth pallatit presidencial të dielën në mëngjes.
Raportimet gjithashtu theksuan se ushtarët u panë duke lëvizur nëpër kryeqytet pranë pallatit presidencial dhe duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi.
Doumbouya më vonë gjithashtu zëvendësoi të gjithë guvernatorët rajonalë me komandantë ushtarakë.
Deklarata që i atribuohet Doumbouya-s tha gjithashtu se zyrtarët lokalë ishin zëvendësuar nga ushtria, ndërsa sekretarët e përgjithshëm të departamenteve ministrore tani janë përgjegjës për punët e përditshme.
“Ministrat në largim janë të ftuar në një takim të hënën, më 6 shtator në orën 11:00 në pallatin e popullit. Çdo refuzim për të dalë do të konsiderohet si rebelim”, thuhet në deklaratë.
Vendimet u zbuluan disa orë pasi ushtria njoftoi marrjen e qeverisë në këtë shet të Afrikës Perëndimore, duke shpërndarë në fakt Asamblenë Kombëtare dhe kushtetutën.
Për të siguruar vazhdimësinë, ushtria gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të paraqiten në punë të hënën.
Ora policore mbarëkombëtare gjatë natës do të jetë në fuqi deri në njoftimin e mëtejshëm.
Një burim ushtarak u tha mediave lokale se ura e vetme që lidh vendin me lagjen Kaloum, e cila strehon shumicën e ministrive dhe pallatit presidencial, është mbyllur nga trupat e armatosura rëndë.
Qasja në zonën më të madhe në Conakry ka mbetur e bllokuar nga ushtarët nga Coyah, një qytet i vendosur 50 kilometra nga kryeqyteti.








