Ushtria ruse në përpjekje për të marrë kontrollin e Kievit, granaton ndërtesat civile

Gazetare: Evi Shkopi
Banorët e kryeqytetit Ukrainas janë zgjuar nën ushtimën e bombardimeve. Flakët dhe tymi nga një ndërtesë banimi shumëkatëshe në qendër të Kievit shihej disa kilometra larg, shkruan Alsat.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se breshëritë goditën katër ndërtesa shumëkatëshe në qytet dhe shkaktuan edhe viktima.
Zjarrfikësit vazhdojnë betejën me zjarrin, kur paralelisht zhvillohet edhe beteja për jetën.
“Është shumë e vështirë – dje kemi fikur një zjarr, sot një tjetër, është shumë e vështirë. Njerëzit po vdesin dhe më e keqja është se po vdesin fëmijët. Ata nuk e kanë jetuar jetën e tyre dhe tashmë e kanë parë këtë, kjo është më e keqja. Të moshuarit tashmë e kanë parë jetën e tyre, por të rinjve më vjen keq për ta. Ata nuk e kanë parë jetën dhe tashmë kjo është ajo që është jeta për ta. Çfarë mund të them?”, tha Andryi, zjarrfikës.
“Për momentin, në përgjithësi për fat të keq kemi zyrtarisht dy viktima dhe 47 janë shpëtuar, një person është në spital. Këto nuk janë shifrat përfundimtare sepse jemi ende duke e shuar zjarrin”, u shpreh Svetlana Vodolaga – zëdhënëse e zjarrfikësve në Kiev.
“Ishte një ulërimë e fortë. Kjo ishte sirena. Dhe pastaj u ulërima dhe unë shikova nga dritarja dhe ajo raketa u përplas në ndërtesë dhe të gjitha dritaret u thyen. E vërteta është se nuk kishte njerëz përreth gjatë natës”, deklaroi Volodymyr Trophimov, banor vendas.
Prej sot në orën 20 deri të enjten në orën 7 të mëngjesit, kryeqyteti ukrainas do të vendoset në shtetrrethim. Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko u kërkoi banorëve që të përgatiten të qëndrojnë në shtëpi për dy ditë, ose nëse bien sirenat, të hyjnë në strehimore. Ndërtesa banimi u dëmtuan edhe në Harkov. Një ndërtesë banimi katërkatëshe u shkatërrua pasi u godit nga një sulm ajror, njoftoi të hënën Shërbimi i Urgjencës së Ukrainës.
“Ne kemi informacione për njerëz nën rrënoja. Ne kemi gërmuar tashmë dhe kemi gjetur një person të vrarë. Kemi zhbllokuar dhe tërhequr gjithashtu një njeri që arriti të dilte vetë”, tha Anatoly Toryanik – Zëvendës Shefi i Shërbimeve të Urgjencës në Harkov.
Ndërsa tashmë disa ditë rreth 350 mijë ukrainas po vazhdojnë të jenë të bllokuar në Mariupol. Shumica e njerëzve po qëndrojnë në bodrume dhe strehimore në kushte çnjerëzore. Pa ushqim, pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje. Një zyrtarë i Mairuopilit tha për televizionin ukrainas se deri tani 1,800 civil janë konfirmuar si viktima nga sulmet. /Alsat.mk