UT, ende asnjë veprim hetimor për shkeljet

UT, ende asnjë veprim hetimor për shkeljet

Gazetar: Ardit Ramadani

Kandidatët e tërhequr nga gara për Rektor të Universitetit të Tetovës, Myqereme Rusi, Bashkim Ziberi dhe Dervish Alimi presin nga institucionet kompetente si Inspektorati i Arsimit dhe Ministria e Arsimit që të ndërmarrin masa sipas detyrës zyrtare, pasi të njëjtët publikisht, disa herë me radhë kishin denoncuar shkelje nga më të ndryshmet në procesin e zgjedhjes së Rektorit të ri, Jusuf Zejneli, i njohur për opinionin si person i zgjedhur nga selia e BDI-së në Reçicë të Vogël dhe jo brenda hapësirave të Universitetit.

Përkundër që drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati është i pakapshëm për mediat, ALSAT mëson se asnjë masë nuk po ndërmerret në këtë drejtim ndërsa ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, dje e bëri të ditur se këto denoncime nuk e shqetësojnë fare, duke thënë se s’mund të ketë presion në një votim të fshehtë dhe se sipas tij, garë ka pasur.

Në një kohë kur të gjitha partitë politike shqiptare si dhe ekspertë reaguan të shqetësuar për shkeljet në UT, BDI-ja dje përmes një kumtese fajësoi mediat ndërsa nuk i komentoi akuzat e bazuara për ndërhyrje.

Bashkimi Demokratik për Integrim me indinjatë të thellë ndjek reagimet dhe fushatën politiko-mediatike kundër Universitetit të Tetovës, si dhe pretendimet tendencioze dhe të pabazuara kundër Bashkimit Demokratik për Integrim. Fushata e vazhdueshme mediatiko-politike kundër universitetit është për çdo keqardhje dhe apelojmë për ndërprerje të menjëhershme të fushatës dhe denoncim institucional të çdo shqetësimi nga cilado palë”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

BDI-ja megjithatë refuzoi të komentojë afërsinë e rektorit të sapo zgjedhur të Universitetit të Tetovës me këtë parti, i cili ka qenë ish-zyrtar i kësaj partie ndërsa shihet edhe në një video ku i këndohet me çifteli kryetarit Ali Ahmeti.

Për BDI-në gjithashtu s’përbëjnë problem gjetjet e Inspektoratit të Arsimit për një sërë shkeljesh të këtij universiteti, gjë që solli deri në anulimin e konkursit të parë për Rektor ndërsa nuk e shohin si problematike edhe faktin që ky universitet është shndërruar në çerdhe të funksionerëve të BDI-së.

Për shembull, vetëm në Fakultetin Juridik janë të angazhuar zëvendës ministri i Arsimit, Agim Nuhiu, deputetja Arta Bilalli Zendeli, deputeti Arbër Ademi, zëvendës kryeministri Artan Grubi, drejtori në drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim, Bekim Maksuti, ambasadori i vendit në Norvegji, Driton Kuçi, deputetja Fisnike Bekteshi Shaqiri dhe zyrtarë tjerë të kësaj partie. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button